Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vazhduar takimet me liderët e partive politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.
Përmes një postimi në platformën “X”, Hargreaves ka njoftuar se është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
“Sot kënaqësi të flisja me liderin e Vetëvendosjes, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Diskutuam fushatën zgjedhore dhe rëndësinë e institucioneve të fuqishme të pavarura të Kosovës”, ka shkruar ai.
Ambasadori britanik të mërkurën është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore”, ka njoftuar PDK-ja, përmes një postimi në Facebook.
Ditë më parë, për të diskutuar lidhur me fushatën zgjedhore, Hargreaves është takuar edhe me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.