Nevoja për dokumentim të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është ngritur në tryezën e diskutimit me rastin e shënimit të 27 Prillit, Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur, të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Avokat i Popullit Naim Çelaj ka thënë se ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur dhe sipas tij ky është një fakt shqetësues dhe i padrejtë për viktimat.
Çelaj u ka bëtë thirrje institucioneve vendore dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar që pakompromis që të ushtrojnë presion për të detyruar autoritet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë tek zbardhja e fatit të personave të zhdukur.
Çelaj ka rikujtuar detyrimet që ka shteti për t’u garantuar viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin e familjareve të zhdukur me forcë dhe për të garantuar drejtësi për viktimat.
“Avokati i popullit u bën thirrje institucioneve vendore dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, pa kompromis të ushtrojë presion për të detyruar autoritet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë te zbardhja e fatit të personave të zhdukur”, ka thënë Qelaj.
Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se Kosovës i nevojitet një dokumentim i asaj që ka ndodhur.
“Nuk ka nevojë për asnjë klasifikim shpikje apo përgënjeshtrim, por thjesht një dokumentim i gjithë atyre krimeve, një bashkim i atyre dokumenteve në një institucion të vetëm. Kanë punuar pa reshtur edhe në forma të ndryshme edhe në kushte të ndryshme, megjithatë shteti deri sot nuk është që ka pas një institucion të qartë se ku dhe si do të ruhen gjitha këto dokumente”, është shprehur Hoti.
Ai ka thënë se është i bindur plotësisht që një delegacion i Serbisë i ka të gjithë informacionet për Kosovë. “Thjesht duhet me pas vullnetin, kurajën me i dhënë ato dhe të përballet me drejtësi. Deri sa kjo nuk arrihet natyrisht që kjo do të jetë e vështirë, natyrisht që ne do ta kemi edhe gishtin të drejtuar nga ne, sepse është normale përderisa kjo nuk arrihet e kemi shumë të vështirë”, ka theksuar Hoti.
Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë ka thënë se qe pesë muaj janë duke mbledhur informacione nga burime të ndryshme dhe do të sigurojnë një bazë të qëndrueshme për dokumentim.
“Instituti ka rol të rëndësishëm për ruajtjen e të dhënave për kryerjen e krimeve në Kosovë. Ka linjën e veçantë buxhetore dhe ligjin e vet. Instituti pretendon që të aplikojë një strategji strikte, me kombinimin e burimeve të ndryshme që do të sigurojë një bazë të qëndrueshme për dokumentimin. Disa herë ka qenë fat në fatkeqësi se organizatat kanë arritur të dokumentojnë krimet e kryera në Kosovë. Do të bashkëpunojmë me të gjithë akterët, që të grumbullohen të dhënat për krimet e kryera. I kemi bërë vetëm 5 muaj punë në këtë drejtim. Jemi duke punuar për një i infrastrukturë dhe rekrutimin e profesionistëve dhe mbledhjen e materialeve. Kemi nisur me grumbullimin e arkivave. Muajve në vazhdim do të ndajmë informacione më të detajuara”, ka thënë Hetemi.
Këshilltari juridik në Institucionin e Avokatit të Popullit, Labinot Sheremeti, ka prezantuar statistikat e personave të vrarë, të zhdukur e të burgosur gjatë dhe pas luftës. “13 535 persona të vrarë apo zhdukur, mbi 10 000 prej tyre civilë, 1133 prej tyre fëmijë të vrarë apo të zhdukur. Mbi 1600 persona të zhdukur. Deri në vitin 2021, në varrezat masive në Serbi, janë gjithsej 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë. Rreth 20 000 viktima të dhunës seksuale. Mbi 2 000 persona janë dërguar në mbajtje në burgjet në Serbi. Së paku 810 000 qytetarë të Kosovës gjatë luftës kanë qenë refugjatë. Rreth 120 000 shtëpi të shkatërruara. Mbi 22 miliardë euro dëme materiale”, ka thënë Sheremeti./EO