Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Podujevë, Islam Demolli, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë janë hapur në orën 07:00 dhe se deri tash nuk ka pasur asnjë problem rreth procesit zgjedhor. Megjithatë, ai ka treguar se në mëngjes kanë munguar disa komisionerë, të cilët, sipas tij, janë zëvendësuar me të tjerë.
“Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe asnjë problem nuk e kemi deri tash. Kemi pasur mungesë të 5-6 komisionerëve, por ata janë zëvendësuar dhe procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht”, ka theksuar Islam Demolli.
Në këto zgjedhje të rregullta lokale në garë për të parin e Komunës së Podujevës janë 6 kandidatë.
Kryesuesi i KKZ-së në Podujevë ka treguar se në Komunën e Podujevës të drejtë vote në këto zgjedhje lokale kanë 83 mijë e 562 votues, që është përafërsisht numri i njëjtë sikur në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti. Demolli ka thënë se tash për tash nuk ka fluks të madh të qytetarëve që po e shfrytëzojnë të drejtën për të votuar. Në Komunën e Podujevës janë 45 qendra me 111 vendvotime.