Qeveria ka miratuar Planin Legjislativ javën e shkuar dhe në të nuk e ka përfshirë fare Ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Përkundër kësaj, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se ligji do të përgatitet sivjet. E në shoqërinë civile konsiderojnë se kësaj iniciative duhet t’i paraprijë procesi i Vettingut
Ndër vendimet e para të Qeverisë së re ishte miratimi i Koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Por ligji që do ta mundësonte këtë formë konfiskimi në procedurë civile nuk është përfshirë në Programin legjislativ për vitin 2021.
Mbështetur në një dokument që ka siguruar KOHA, Ministria e Drejtësisë do të hartojë gjithsej 28 ligje sivjet.
Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka arsyetuar mungesën në listë të Ligjit antimafia, siç njihet ky për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Tashmë Koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka kaluar”, ka thënë Nimoni. “Do të thotë është aprovuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe kjo nënkupton që automatikisht duhet të fillohet të procedohet tutje me hartimin e Projektligjit”.
Procedura e konfiskimit, sikur është prezantuar në Koncept-dokument, pati ngjallur reagime te një pjesë e shoqërisë civile.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se Ligjit antimafia duhet t’i paraprijë një proces tjetër që është proklamuar nga Qeveria.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se pa një proces të Vettingut dhe pa pastruar sistemin e drejtësisë nga prokurorë dhe gjykatës pa integritet, kredibilitet dhe me mungesë profesionalizmi, ideja e kësaj iniciative është e parakohshme dhe nuk është garanci se do të kishte sukses”, thotë Miftaraj. “Përjashtimisht kësaj, IKD-ja do të jetë në grupin punues të themeluar nga Ministria e Drejtësië, dhe nëse qeveria dhe legjislatura e tanishme e vlerësojnë se një ligj i tillë duhet të miratohet, pavarësisht vërejtjeve dhe sugjerimeve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtar, atëherë presim së paku që gjatë hartimit të ligjit të ketë siguri juridike, si dhe të respektohen në maksimum të drejtat kushtetuese dhe liritë e njeriut”.
Genc Nimani thotë se grupi punues që është themeluar për hartimin e Projektligjit shpejt do ta nisë punën dhe ka shprehur pritjen që brenda vitit Projektligji të dalë për votim para deputetëve.
“Është një ndër projektligjet që ne do ta trajtojmë me prioritet dhe çka ne mendojmë dhe kemi lënë afat është se do të jepet kohë e mjaftueshme që të punohet brenda vitit me siguri dhe me hapa të sigurt dhe profesionalë para ngutisë, dhe në fund ne planifikojmë që më së largu në fund të vitit dhe nëse edhe më herët pse jo, ta procedojmë tutje në Kuvend për miratim”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, Ehat Miftaraj vlerëson të mos ketë nevojë fare për këtë ligj të ri.
“IKD vlerëson se baza aktuale ligjore lidhur me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme është e mjaftueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, përfshirë konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, por që ka pasur mungesë vullneti dhe guximi të institucioneve të drejtësisë për të zbatuar obligimet e tyre ligjore”, insiston ai.
Koncept-dokumenti i miratuar më herët në Qeveri sugjeron që konfiskimi civil të realizohet mbi bazën e identifikimit të diskrepancës në mes të pasurisë së paligjshme të personave të dyshuar dhe të ardhurave të tyre. Ky proces do të përfshijë si pasurinë që nuk është deklaruar fare, ashtu edhe pasurinë që është deklaruar, por nuk korrespondon me të ardhurat legjitime.
Me ligjin që synohet të aprovohet është paraparë të themelohet një agjenci, e cila do të autorizohet për të paraqitur pranë gjykatave themelore kërkesën për konfiskim civil, në rastet kur arrin të identifikojë diskrepancë në mes të pasurisë dhe të ardhurave të deklaruara të zyrtarëve të lartë publikë apo të personave të ekspozuar politikisht.
Deri tash ka qenë fare simbolik konfiskimi. Në gjashtë vjetët e fundit vlera e ngrirjeve dhe sekuestrimeve ishte 180 milionë euro, por vlera e konfiskimeve përfundimtare është vetëm 3.5 milionë euro.
Programi legjislativ 2021: