Komuna e Pejës ka ndryshuar vendimin e muajit të kaluar për vendosjen e qendrës për vaksinim masiv të popullatës në palestrën e sporteve “Karagaqi”.
Me vendimin e ri, vaksinimi masiv i popullatës do të bëhet në Galerinë e Arteve, që gjendet në objektin e Pallatit të Kulturës.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Petrit Loci, ka thënë se vendi është ndërruar pasi palestra u nevojitet klubeve sportive që të përgatiten për garat ndërkombëtare.
“Arsye e dytë është se vaksinimi do të zgjas edhe muajve të dimrit dhe kostoja e ngrohjes në palestrën ‘Karagaqi’, sipas fizibilitetit që kemi bërë si qendër, janë jashtëzakonisht të larta. Dhe duke ditë që në fund të muajit shtator në qytetin e Pejës fillon sistemi i ngrohjes”, ka thënë Loci.
Pasi ishte njoftuar për ndryshimin e lokacionit, shefi i qendrës kryesore të vaksinimit në Pejë, Dukagjin Sahatçiu, e ka shikuar të hënën nga afër hapësirën në galerinë e arteve, nëse ajo mjafton për vaksinim masiv.
“Besoj që do të mjaftojë për punën e dhjetë ekipeve, pesë paradite dhe pesë pasdite”, ka thënë Sahatçiu.
Pas këtij ndryshimi, vaksinimi në Pejë s’do të nisë më 15 qershor, për shkak të një ekspozite ndërkombëtare që do të mbahet në Galerinë e Arteve më 16 qershor për ditën e çlirimit të Pejës.
“Duke qenë se shumë nga garuesit dhe artëdashësit janë lajmëruar që të marrin pjesë në këtë ekspozitë dhe i kanë paraqitur punimet e tyre, ne kemi bërë një marrëveshje xhentile që vaksinimi në galeri të fillojë me dy ditë vonesë”, ka deklaruar Xhenet Syka – Kelmendi, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Nëse bëhen përgatitjet paraprake, përfshirë edhe instalimin e sistemit informativ dhe rrjetit të kompjuterëve, në Qendrën e Vaksinimit besojnë se vaksinimi në Galerinë e arteve mund të nisë më 18 ose 19 qershor.
Prej fillimit të procesit të vaksinimit e deri të hënën, në Pejë janë vaksinuar 4 mijë e 500 qytetarë.