Arbëri

Në Pejë nis fushata për vetëdijesimin e prindërve kundër dhunës ndaj fëmijëve

“Fëmijët janë mi dashtë jo m’i rreh”, “Fëmija nuk edukohet me dhunë, por me dashni”... ishin dy nga dhjetëra mesazhe në nisje të fushatës njëjavore për vetëdijesim kundër dhunës ndaj fëmijëve.

E në mesin e mesazheve ishin edhe fjalët e të moshuarit 84 vjeç Adem Kelmendi nga Peja, i cili pohoi se asnjëherë nuk ka përdorur dhunë ndaj fëmijëve të vet.

“Kurrë dorë ndaj katër fëmijëve që i kam nuk kam çu. Ata janë më të çmueshmit e familjes dhe i shoqërisë. Prandaj kujdes të posaçëm duhet të kemi ndaj fëmijëve”, pohoi Kelmendi.

Ndëshkim apo dhunë nuk kishte përjetuar kurrë nga prindërit e saj, siç thotë, një pejane e re, e cila me nënën e saj u afruan të shohin se për çfarë po shkruhej në atë tabelë.

“Jo asnjëherë. Nuk ka qenë e dhunshme asnjëherë gjatë rritjes time”, ka deklaruar Lirika Berisha.

“Fëmija është dhurata më e çmuar për një prind dhe dhuna mendoj që nuk është zgjidhje”, ka shtuar Afërdita Berisha.

Qytetarët në Pejë kanë bërë thirrje që të ndalet dhuna ndaj fëmijëve.

“Asnjëherë mos i rrehni fëmijët. Janë dhurata më e bukur që ekziston”, u shpreh Linda Kukeli.

Njëri prej mjeteve të parapëlqyera nga prindërit për të ndëshkuar fëmijët është rripi, të cilin të rinjtë e angazhuar nga organizatori i kësaj fushate, u dhuronin qytetarëve që kalonin aty pari, me fjalët se rripi nuk është mjet të përdoret për dhunë ndaj fëmijëve.

“Sot kemi zgjedhur rripin si një prej mjeteve që më së tepërmi prindërit dhe të rriturit e përdorin për të ushtruar dhunë ndaj fëmijëve dhe e kemi marrë një mesazh prej fëmijëve që e përcjellin tek të gjithë prindërit dhe të gjithë të rriturit, që rripi nuk është me më rreh, por e dimë që rripi është për t’i lidhë apo për t’i mbajtur pantallonat”, deklaroi Naser Lajçi, menaxher i këtij projekti nga OJQ “Syri i Vizionit”.

Në kuadër të kësaj fushate vetëdijesimi, e organizuar nga OJQ “Syri i Vizionit” nga Peja, në partneritet me organizatën “Save the Children” dhe në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, po promovohej edhe Ligji për mbrojtjen e fëmijës, respektivisht njëri prej neneve të këtij ligji, që ndalon ndëshkimin trupor.