Për të kursyer 3 euro e gjysmë për asgjësimin e një kilogrami të mbetjeve mjekësore, ka laboratorë të tillë që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, duke i hedhur ato mbetje në kontejnerë publikë.
Së fundmi, një rast i tillë në Pejë ka ndodhur këtë fundjavë në lagjen “Puhovc”, kur dikush ka hedhur mbetje mjekësore, përfshirë edhe numër të madh të epruvetave me gjak të testeve për COVID.
Ndonëse para kamerës nuk pranuan të flasin, disa banorë të kontaktuar nga KOHA, janë shprehur të shqetësuar për rrezikun që i ishin ekspozuar.
Për këtë rast ishte informuar të dielën edhe Inspektorati Komunal.
“Me të marrë informatën i kam telefonuar inspektorët e ambientit. Kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë provuar me konstatua se kush i ka hedhur ato mbetje, mirëpo ka qenë e pamundur”, ka thënë Leotrim Murtezaj, drejtor i Inspektoratit Komunal.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se për të zbuluar hedhësin e atyre mbetjeve mjekësore, hetimet janë duke u zhvilluar nga prokuroria në koordinim me policinë.
Kjo nuk është hera e parë që këso mbetjesh të rrezikshme hidhen në kontejnerë publikë.
“Mirëpo, brengosja jonë më e madhe është se ditëve të fundit është parë, është vërejtur se po hidhen mbetje mjekësore të testeve me COVID. Unë personalisht jam trishtuar me atë çka kam parë”, ka pohuar Nexhat Abdullahi, drejtor i kompanisë rajonale të mbeturinave “Ambienti”.
Ato mbetje, sipas Abdullahit, janë dërguar pastaj për eliminim në impiantin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.
Në Rajonin e Pejës, ky spital është i vetmi që posedon impiantin e licencuar për asgjësimin e mbetjeve mjekësore.
Disa prej laboratorëve privatë në Pejë, KOHA i ka kontaktuar të hënën dhe ata që pranuan të flasin thanë se kanë kontrata me këtë spital.
“Na e kemi një marrëveshje. Është kontratë e cila bëhet çdo vit me Spitalin Regjional në Pejë, për asgjësimin e mbetjeve mjekësore”, ka deklaruar Bujar Rexha, pronar i laboratorit “BioHit”.
Njëjtë ka thënë edhe Albana Norqaj nga laboratori “Ndriçimi” në Pejë.
“Ne kemi një kontratë me spitalin e Pejës, ku bëhet djegia e tyre në impiantin e tyre”, ka thënë ajo.
Gjithashtu, është e obligueshme që mbetjet e testeve për COVID dhe çkado që punohet për COVID t’i hedhin në një shportë speciale.
Në Spitalin e Pejës konfirmuan se ka mjaft laboratorë në këtë rajon, që kanë kontratë me këtë spital.
“Jo secila ka punën e njëjtë ose prodhon material mjekësor për asgjësim njëjtë, dhe këtë pjesë nuk është që ne mund ta dimë saktësisht se sa kanë ata dhe sa sjellin te na, por ato që i sjellin te na, ne i asgjësojmë”, ka pohuar Naim Sahiti, zëdhënës i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.
Për mundësinë e mosasgjësimit të të gjithë sasisë së mbetjeve mjekësore që prodhojnë laboratorët, Sahiti tha se u takon institucioneve të tjera ta vlerësojnë.