Saktësisht 424 raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda janë regjistruar në Pejë në vitin 2020 nga 1 janari e deri më 10 dhjetor. Nga ky numër nuk janë të ndara statistikat vetëm për vjedhje nëpër shtëpi, por Policia e Kosovës ka thënë se shtëpitë zënë një pjesë të konsiderueshme të caqeve të hajnave më 2020. Më së shumti po sulmohen shtëpitë e zbrazëta të mërgimtarëve.
Për dallim nga një vit më herët, më 2020 janë regjistruar rreth 200 raste më pak. Sipas të dhënave të Policisë, më 2019 ishin 669 raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda të evidentuara. Rënien e numrit të vjedhjeve policia e ndërlidh me punën dhe angazhimin e saj për zbulimin e autorëve të vjedhjes.
“Shtëpitë e mërgimtarëve duket se janë cak më i madh i keqbërësve, pasi ata e kuptojnë se nuk banon askush në ato shtëpi dhe veprojnë”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i Policisë në Pejë, Driton Rugova.
Për shkak se shtëpitë e mërgimtarëve janë bërë edhe cak i vjedhjeve nga hajnat, Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët, të cilët nuk banojnë në Kosovë por që kanë pasuri të paluajtshme në vend, të gjejnë formën e përkujdesjes së pasurisë.
E sa shtëpi të mërgimtarëve janë thyer nga hajnat nuk janë të saktësuara në numrin e përgjithshëm të rasteve të vjedhjeve gjatë vitit 2020.
Edhe pse ka rënie të vjedhjeve, numri prej 424 rasteve të vjedhjeve të ndryshme, që kanë ndodhur sivjet, vazhdon të mbetet shqetësuese për policinë e Pejës, e cila, sipas Rugovës, është duke punuar vazhdimisht me planet e saj operative në parandalimin e vjedhjeve.
“Ne çdo ditë angazhohemi dhe kjo tregon edhe me arrestimet e fundit që ka bërë policia. Kur prej datës 7 deri me 11 dhjetor ka arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë të gjykatës për vepra të ndryshme penale që kanë qenë të dënuar me vendime të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, ka thënë ai.
Hajnat në Pejë nuk po i kryejnë vjedhjet vetëm natën. Shumë prej tyre janë raportuar edhe gjatë ditës. Viktima të vjedhjeve dhe tentim vjedhjeve kanë pranuar të flasin në kushte anonimiteti për KOHËN. Një prej tyre ka rrëfyer momentet e përjetuara kur hajnat kanë tentuar t’i hyjnë në shtëpi.
“Jam kthyer në shtëpi nga puna rreth orës 17:00 dhe familja më thotë se diçka po kërcet në shtëpinë e vëllait tim, që është kapur më shtëpinë time. Kam hipur në katin e epërm të shtëpisë time për të shikuar mos po shoh diçka, e pak minuta më vonë kam dëgjuar në derën time se dikush po tenton me hapë. Pastaj kuptova qe janë hajnat dhe nisa me zë të lartë me i sha e kërcënuar dhe ata ikën”, tregon një qytetar përjetimin për tentimvjedhjen e para disa ditësh.
Ai pohon se nuk ka arritur me i pa sa hajna kanë qenë, se ka qenë terr, por në shtëpinë e vëllait të tij siç thotë ai, nuk kanë arritur të vjedhin gjë, pasi janë diktuar. Por nuk dinë nëse kanë vjedhur në dy shtëpi tjera në fqinjësi që kanë hyrë gjithashtu.