Me homazhe janë përkujtuar në Pejë të rënët e familjes Kastrati, në 24-vjetorin e vrasjes së tyre. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues institucionalë. E në Rahovec u kujtua heroi Mensur Zyberaj në Qendrën e Kulturës që mban emrin e tij.
Në 24-vjetorin e vrasjes nga forcat serbe janë përkujtuar të vrarët e familjes Kastrati nga Peja.
Kurora lulesh u vendosën mbi varret e tyre nga ministrja Rozeta Hajdari dhe kolegu i saj Elbert Krasniqi, deputeti Armend Muja, si dhe nga kryetarët Gazmend Muhaxheri dhe Përparim Rama.
Lendita Kastrati-Kelmendi, vajza e dëshmorit Sokol Kelmendi, po ashtu edhe dëshmitare e ngjarjes, u shpreh krenare me të rënët për liri.
“28 maji i vitit 1999-të ka qenë një ditë e tmerrshme për familjen time. Jemi krenar që sot falë gjakut të tyre, ne e gëzojmë lirinë. Dhashtë zoti që ato vite të mos përsëriten asnjëherë", ka thënë Kastrati-Kelmendi.
E, në Rahovec u përkujtua heroi Mensur Zyberaj, i cili ra në këtë ditë 24 vjet më parë.
Kryetari i Rahovecit, Ismail Latifi, e çmoi lart rolin e Zyberajt në luftë, ku u cilësua si njëri ndër themeluesit e Zonës Operative të Pashtrikut.
“Qendra e kulturës, që mban emrin e këtij protagonisti të madh të luftës tonë për liri, është vendi ku ne shpesh mblidhemi për të evokuar kujtime, për të shënuar ngjarjet e rëndësishme të historisë e kulturës tonë, për të mbajtur aktivitete kulturore, rinore e shoqërore. Është kjo qendër ku njerëzit hyjnë e dalin dhe gjithmonë diçka sjellin e diçka marrin. Pra, është një qendër ku gravitojnë grupe artistësh, ku të rinjtë e të rejat zhvillojnë talentet e tyre dhe ku njerëzit e shijojnë lirinë. Zaten për këtë edhe luftuan e ranë dëshmorët tanë. Prandaj, është një nga detyrimet tona morale e institucionale që të ofrojmë më shumë mundësi për njerëzit tanë, duke synuar që jeta dhe veprat e dëshmorëve të jenë fanar ndriçues në rrugën tonë kah përparimi. Vetëm në këtë mënyrë merr kuptim dhe peshë rënia e tyre”, ka thënë Latifi.
Ndërsa drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Rahovec, Afrim Dina, u shpreh se më 28 maj i prezantojnë të arriturat e qendrës kulturore, që mban me krenari emrin e heroit Mensur Zyberaj.
“28 maji është dita ku ne prezantojmë para jush arritjet dhe synimet tona të Qendrës së Kulturës që mban me krenari emrin e njërit prej heronjëve të luftës sonë çlirimtare, Mensur Zyberaj. Thënë me pak fjalë, është ruajtëse e vlerave tona kulturore dhe që me përkushtim po përpiqemi të përmbushim jetën kulturore, rinore e sportive në komunën e Rahovecit”, ka thënë Dina.
Bashkë me Zyberajn, gjatë luftimeve me forcat serbe ranë edhe heronjtë e kombit: Habib Gashi, Kurtish e Nazmi Hasani, Ismajl Gashi, Bedri Berisha, Manush Berisha e Agron Bytyçi.