Për dekada të tëra ka qenë burim mbijetese i shumë familjeve dhe treg i preferuar nga shumë qytetarë të Pejës.
Por, Tregu i Plaçkave në lagjen “Taphane” të këtij qyteti, i njohur ndryshe si “Lama e teshave”, ka mbetur i mbyllur për më shumë se një vit.
Tregtarët e goditur nga mbyllja e tij tregojnë se fillimisht u ishte caktuar një lokacion përfund stacion të trenit, por se më pas i kishin larguar.
Tani, si thonë ata, janë duke dalë në një lokacion tjetër.
Shitësit tregojnë se janë rreth 50 sish, pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme, dhe që të gjithë i mbajnë familjet e tyre nga ky treg.
“E lus kryetarin Gazmend Muhaxherin, le ta bëjë një vend diku të sigurt dhe mos t’i endë njerëzit. Mos t’i endë fukaranë lart e poshtë, se këta kanë nevojë për bukë e gjitha këtu i kanë”, ka thënë shitësi Gazmend Polaca.
Për mungesën e një lokacioni të ri është shprehur i shqetësuar edhe kryesuesi i Komitetit për Komunitete në Pejë, Avdyl Berisha. Ai ka thënë se ky treg përbën burim financiar për komunitetet rom, ashkali e egjiptian.
“Pres nga komuna të bëjë një zgjedhje, që ky treg që luan rol shumë të madh për komunitetet rom, ashkali e egjiptian, por edhe të tregtarët tjerë që vijnë nga komunat tjera, t’u bëhet zgjedhje në një afat sa më të shpejtë, që tu sigurohet një lokacion ku mund të bëjnë tregti”, ka thënë Berisha.
Me Planin Zhvillimor Komunal 2020-2028 nuk është paraparë ndonjë lokacion për tregun e plaçkave.
Megjithatë, drejtori i Urbanizmit në Pejë nuk e përjashton mundësinë e shfrytëzimit të një hapësire publike për këtë treg, për të cilin është diskutuar edhe në Bordin e Drejtorëve.
“Është diskutuar, meqenëse është paraqitur si nevojë, dhe realisht janë dhënë propozime për disa lokacione ku është e mundur që të vendoset një treg i tillë, edhe besoj se do të zgjidhet si çështje”, është shprehur Rajan Arapi, drejtor i Urbanizmit.
Si lokacion të mundshëm për këtë treg, Arapi potencoi hapësirën komunale ku më herët ka qenë e vendosur kompania e mbeturinave “Ambienti”, e cila gjendet jo larg tregut të vjetër dhe aktualisht është e pashfrytëzuar.