Pavarësisht rritjes së numrit të banorëve në Fushë-Kosovë e Ferizaj, autoritetet qendrore nuk kanë lejuar që këto komuna ta shtojnë edhe numrin e stafit shëndetësor. Për pasojë, mjekët thanë se po mbingarkohen me pacientë, ndërsa zyrtarët komunalë theksuan se po u duhet ta kontraktojnë “Caritasin” për të ofruar shërbime shëndetësore
Prej më shumë se një dekade, në mungesë të stafit mjekësor, disa komuna kanë lidhur marrëveshje për blerje të shërbimeve shëndetësore nga “Caritas Kosova”.
Autoritetet lokale në Fushë-Kosovë dhe Ferizaj thonë se kërkesat për rritjen e stafit mjekësor nuk janë shqyrtuar nga autoritetet qendrore e për pasojë, u është dashur të kontraktojnë shërbime.
“Komuna e Fushë-Kosovës ka një zhvillim të madh dhe ardhje shumë të madhe të qytetarëve, ku me këtë rritje dhe me këtë zhvillim normalisht rriten edhe shërbimet dhe kërkesat e qytetarëve. Fatkeqësisht, kisha me thënë se unë e mora edhe një tabelë se që nga viti 2006 deri në vitin 2023 nuk e kemi pasur ndonjë rritje të stafit shëndetësor dhe jemi ballafaquar me mungesë shumë të madhe të stafit”, ka thënë Mimoza Kolshi, drejtoreshë për Shëndetësi në komunën e Fushë-Kosovës.
E në komunën e Ferizajt, vlerësohet se mungojnë 90 punonjës shëndetësorë.
“Neve si qytet veçse e kemi bërë kërkesën sivjet sikurse edhe viteve të tjera në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Ministrinë e Financave, diku afër 90 punëtorë shëndetësor na nevojiten duke pasur parasysh edhe mjekë, farmacistë dhe stomatologë e staf të mesëm si dhe punëtorë ndihmës të shëndetësisë, ka deklaruar Kemajl Emini, drejtor për Shëndetësi në komunën e Ferizajt.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk u zotuan për ndonjë zgjidhje të problemit, por vetëm theksuan se së shpejti do të hapet konkursi për specializime dhe se komunave u është përcjellë formulari për t’i paraqitur nevojat e tyre për specializantë.
“Sa i përket Kujdesit Parësor Shëndetësor, ky nivel financohet nga granti qeveritar për shëndetësinë primare dhe bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale, komunat janë përgjegjëse për punësime në Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSH). Këtë vit pritet të ketë konkurs të ri të specializimeve, ndër të tjera edhe në fushën e KPSh-së, me çka të gjitha QKMF-ve u është dërguar formulari për t’i paraqitur nevojat e tyre për specializantë në fushat shëndetësore që mbulon KPSh-në”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë.
E punonjës shëndetësorë thonë se shkaku i mungesës së stafit, ata ngarkohen me numër të madh pacientësh, gjatë orarit të punës.
“Unë si doktor dje gjatë orarit të paradites i kam pasur 40 pacientë, andaj është një shifër shumë e lartë për një pjesë, derisa dihet se për një mjek mesatarja është t’i kontrolloi 20 deri në 25 pacient gjatë gjithë orarit të punës”, ka theksuar Hest Shatrolli, mjek në Ferizaj.
Nëpërmjet kontraktimit të shërbimeve nga “Caritas Kosova”, Komuna e Ferizajt ka angazhuar edhe rreth 250 mjekë dhe infermierë, kurse ajo e Fushë-Kosovës mbi 30 sish.