Arbëri

Në mungesë të dy të akuzuarve, dështon seanca për mashtrim me subvencione

Seanca gjyqësore e së premtes lidhur me rastin e organizimit të skemave piramidale, bixhozit të paligjshëm dhe mashtrimit ka dështuar të mbahet në mungesë të dy prej 3 të akuzuarve. Në këtë rast, Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj e Saranda Dobruna janë të akuzuar se e kanë themeluar organizatën joqeveritare “Qendra për Avokim dhe Diplomaci”, nëpërmjet të cilës kanë mashtruar fermerë, duke u premtuar subvencione në këmbim të participimit për përfitimin e tyre

Nga tre të ngarkuarit për organizim të skemave piramidale, për bixhoz të paligjshëm dhe për mashtrim vetëm e akuzuara, Saranda Dobruna, është paraqitur të premten para Gjykatës Themelore në Prishtinë për seancën gjyqësore lidhur me rastin.

Krahas Dobrunës, të akuzuar në këtë rast janë edhe Valmir Hajrullahu dhe Freskim Buçaj. Që të tre, aktakuza e ngritur më 2017 i ngarkon për themelimin e organizatës joqeveritare “Qendra për Avokim dhe Diplomaci”, nëpërmjet të cilës fermerët janë mashtruar me oferta për subvencione.

Kryetari i trupit gjykues, Agim Kuqi, ka thënë se seanca e paraparë për të premten nuk mund të mbahet në mungesë të të akuzuarve Hajrullahu dhe Buçaj.

“Valmir Hajrullahu e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin e sotëm gjyqësor, pasi paraprakisht mbrojtësi i tij, Musa Damati, me parashtresë e ka njoftuar Gjykatën se nuk do të marrë pjesë në shqyrtimin e sotëm me arsyetimin do të marrë pjesë në një shqyrtim tjetër gjyqësor. Po ashtu mungon i akuzuari Freskim Buçaj, i cili me parashtresë, e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin e sotëm, pasi në shqyrtim nuk do të marrë pjesë, mbrojtësi i tij avokati Shpëtim Sadiku, se për shkaqe familjare nuk mund të marrë pjesë në seancë”, ka thënë Kuqi.

Në një përgjigje për KOHËN, avokati Musa Damati ka bërë të ditur se klienti i tij, Valmir Hajrullahu, nuk ka mundur të paraqitet në seancë, pasi që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Aktakuza ndaj Dobrunës, Hajrullahut e Buçajt specifikon që tre të akuzuarit kanë nxjerrë përfitime të kundërligjshme në vlerë të rreth 600 mijë eurove, duke u kërkuar fermerëve participim prej 25 deri në 30 për qind të vlerës së subvencionit, në emër të përfitimit të tij.

“Përmes kësaj organizate fillimisht nëpër rrjete sociale kishin krijuar besim të rremë te qytetarët/fermerët, dhe duke i mashtruar, kishin ofruar kinse subvencione për të cilat të dëmtuarit kishin participuar me vlerën mes 25 dhe 30% të kërkesës bazë. Këtë përqindje, të dëmtuarit e kishin paguar në xhirollogarinë bankare të QAD-it, e në disa raste kishin paguar edhe në kesh, si dhe kishin qenë të detyruar për të paguar TVSH (edhe pse prodhimet bujqësore janë të liruara me ligj nga kjo taksë), dhe planin e biznesit në kesh në emër të kësaj organizate. Këto mjete financiare supozohet se ishin nxjerrë menjëherë nga llogaria bankare nga të akuzuarit, të cilët duke u thirrur se kishin marrëveshje kinse me Komisionin Evropian e Ministrinë e Bujqësisë”, thuhet në aktakuzë.

Krahas kësaj, aktakuza i ngarkon Hajrullahun, Buqajn dhe Dobrunën se kanë organizuar skema piramidale me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për personin tjetër, nga 4 gushti i vitit 2014 e deri më 2 dhjetor të 2016-s.