Vendet në të cilat strehohen viktimat e dhunës në familje, çdo fundvit ballafaqohen me mungesë të mjeteve financiare, përderisa edhe ato që u takojnë nga shteti, u vonohen për muaj të tërë.
Nga 30 deri në 35 mijë euro në vit është buxheti total që këto strehimore marrin nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Megjithatë, sipas drejtueseve të këtyre institucioneve në Gjakovë dhe Gjilan, kjo shumë nuk është e mjaftueshme, pasi aty ofrohet ndihmë për shumë nëna dhe fëmijë të tyre, përderisa deri në dy vite, ata qëndrojnë në strehimore.
“Shtëpia e sigurt në Gjakovë, për momentin i ka të strehuara 21 raste të dhunës në familje (nëna së bashku me fëmijët e tyre). Për ndihmë direkte, deri diku, përmbushen nevojat e tyre me ndihmën financiare që ndan Qeveria, mirëpo vlen të theksohet se kjo është e paqëndrueshme”, ka thënë Erblina Dinarama, drejtoreshë e strehimores në Gjakovë.
“Financimi është i pamjaftueshëm nga ana e Ministrisë dhe komunave në tërë Kosovën, andaj duhet të rriten fondet për ofrimin e shërbimeve për raste të dhunës. Buxheti i vitit 2019 për shërbime ka qenë 32.000 euro, pra i pamjaftueshëm. Duhet të gjithë ta ngremë zërin për rritje të buxhetit nga ana e Qeverisë së Kosovës për këto shërbime. Mbesim me shpresë që në vitin 2020, fondi të rritet në 60.000 euro për ofrimin e shërbimeve për strehimore”, ka thënë Nazife Jonuzi, drejtoreshë e strehimores në Gjilan.
Edhe sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e grave, kjo shumë që ndahet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk është e mjaftueshme.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se ndonëse është miratuar në Kuvendin e Kosovës kërkesa e tyre për ta dyfishuar këtë buxhet, kjo nuk ka ndryshuar.
Ajo shton se këtyre strehimoreve nuk u mjafton kjo shumë, andaj çdo fundvit ato rrezikojnë të mbyllen.
Në vend veprojnë gjithsej 8 strehimore. Shtatë janë për viktima gra dhe fëmijë dhe një tjetër është vetëm për fëmijë.
KTV-ja ka pyetur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nëse do të filloj ta zbatojë vendimin që t’i ndajë nga 60 mijë euro për secilën strehimore dhe nëse do të rrisë në përgjithësi këtë buxhet, por zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur.