Arbëri

Në mungesë të banderolave disa barna s’gjenden në treg

Që nga dhjetori i vitit të shkuar Agjencia e Barnave nuk ka arritur ta përmbyllë tenderin për furnizim me banderola, duke bërë që shumë barna të mungojnë nëpër barnatore. Tenderi i rregullt është ende në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit e një tender tremujor është nënshkruar ditë më parë, porse nuk dihet se kur do të nisë furnizimi i përkohshëm

Jo pak qytetarë kanë zgjedhur mënyra alternative për të siguruar barnat që u nevojiten, në mungesë të tyre në tregun privat farmaceutik.

Nëpërmjet grupeve të krijuara në Facebook ata kanë kërkuar barna specifike që nuk mund t’i gjejnë në treg. E mes tyre janë edhe ilaçet e thjeshta.

Përfaqësues të operatorëve ekonomikë i kanë thënë KOHËS se mungesa e barnave po ndodh shkaku që Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore prej javësh nuk i ka furnizuar me banderola, pa të cilat produktet nuk mund të nxirren në treg.

Në Agjenci nuk kanë kthyer përgjigje për këtë. KOHA provoi të kontaktojë edhe me kryeshefin e këtij institucioni, Sejdë Tolaj, por as ai nuk u është përgjigjur telefonatave.

E burime brenda këtij institucioni thanë se Agjencia përballet me telashe për nënshkrimin e kontratës në tenderin e rregullt për furnizim me banderola dhe se për pasojë ka nisur bllokada në tregun farmaceutik.

Në ueb faqen e e-prokurimit thuhet se janë aktive disa procedura të prokurimit për blerjen e dy llojeve të banderolave. Njëra prej tyre, në vlerë 90 mijë euro, sipas të dhënave në këtë faqe, ka përfunduar të enjten por që nuk dihet se kur do të bëhet furnizimi me banderola. Kontrata është e përkohshme, me afat për 3 muaj. E një tjetër tender për banderola, prej gjysmë milioni euro, është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, shkaku i ankesës së një kompanie.

Në dosjen e tenderit për furnizim tremujor shpjegohet për problemet me të cilat është ballafaquar Agjencia në procesin e furnizimit me banderola.

“AKPPM-ja ka shpallur në dhjetor të vitit 2022 këtë procedurë, por që disa herë nga ajo kohë, bazuar në raportet e kontrollit të mostrave nga Agjencia Kosovare për Forenzikë, operatorët ekonomikë nuk kanë plotësuar kriteret e sigurisë së banderolës. Ne si institucion kemi realizuar dy procedura kuotimi të çmimit për të plotësuar mungesat e banderolave, por është e pamundur bazuar në kërkesat që kemi nga tregu farmaceutik. Gjithashtu lënda për kontratë kornizë gjendet në OSHP, për shkak të një ankese që kemi pranuar nga një operator ekonomik. Andaj bazuar në nenin 46 të Ligjit të Prokurimit Publik, ne si Autoritet Kontraktues kemi vendosur që të shkurtojmë afatin e dorëzimit të tenderëve”, thuhet në këtë dosje.

Banderolat janë elemente kyç për rregullimin e tregut farmaceutik. Ato u vendosën produkteve mjekësore që duhet të shiten me recetën e mjekut. Banderolat për barnat spitalore dallojnë prej atyre të tregut privat farmaceutik në bazë të ngjyrës.