Arbëri

Në moshë gjithnjë e më të re, të rinjtë nisin të marrin droga

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Në moshë gjithnjë e më të re po nis konsumimi i drogave, alarmojnë aktivistë që synojnë t’i ndihmojnë qytetarët ta kalojnë varësinë nga substancat narkotike. Këtë e konfirmojnë edhe në repartet e sëmundjeve të varësisë, në Prishtinë e Gjakovë. Në Polici treguan se shumica e të dyshuarve që u kapën afër shkollave tek tregtojnë lëndë narkotike, janë nën 18 vjeç. Mjekët numërojnë pasojat që lënë drogat veçmas tek të rinjtë dhe apelojnë të aktivizohen institucionet

Kur nisi t’i provojë substancat narkotike, ishte adoleshent. Ai shpejt krijoi varësi, derisa ishte në moshë delikate, gjatë së cilës shpesh merren vendime të pamenduara, qoftë nga kureshtja, qoftë nën presionin e shoqërisë, apo nga nevoja për t’u përshtatur me të tjerët.

Tani, në qendrën “Labyrinth”, po e lufton varësinë nga drogat. 

“Mos i hyni kësaj rruge, qeta mundem me thanë se është rrugë pa krye”, thotë ai, derisa kërkon t’i mbrohet anonimiteti.

Në qendrën ku ky i ri synon ta heqë varësinë, tregojnë se çdo vit e më shumë në “grackën” e substancave narkotike janë duke rënë të rinj të moshave minore. 

Drejtori Safet Blakaj thotë se gjatë vitit 2023 këtu kërkuan ndihmë 28 përdorues të drogës nën 18 vjeç.

“Kur flitet për herën e parë kur dikush përdor drogë, e them se mosha mesatare është 16 vjeç. Natyrisht se ka më të rinj kur fillojnë për herë të parë”, thotë Blakaj. “Mosha e tyre po shkon duke rënë gjithmonë”.

Në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë funksionon reparti i sëmundjeve të varësisë. 

Samire Gashi-Braina është shefe e repartit dhe tregon se nga 73 pacientët që kërkuan trajtim sivjet, tre ishin nën 18 vjeç.

“Konsumues më të shpeshtë janë konsumues të kokainës që kanë kërkuar trajtim, që është mjaftë shqetësuese për faktin se të rinjtë, sidomos mosha 18 e tutje, po fillojnë prej marihuanës fillimisht, pastaj po vazhdojnë menjëherë me kokainë që është me të vërtetë, me të vërtetë alarmante”, ka thënë doktoresha Gashi-Braina.

Fenomeni i përdorimit të drogave të rënda nga të rinj, është evidentuar edhe nga Blakaj.

“Pra katër vjetësh më përpara, rastet që janë lajmëruar te ne për konsumim kokaine kanë qenë të moshave me të mëdha, të themi 35 deri 45 vjeç e më tepër, ndërsa, ta zëmë vitin e kaluar, ka rënë dukshëm në 25-30 vjeç”, thotë ai.

Situata e këtillë nuk është vetëm në kryeqytet.

Të rinj që kanë krijuar varësi nga droga i drejtohen edhe repartit të sëmundjeve të varësisë, që funksionon në Spitalin e Gjakovës.

Shefi i repartit, Ilir Grezda, thotë se varësi kanë krijuar edhe të rinj nën 16 vjeç.

“Vjet përderisa ka qenë mosha 16-17 vjeçare e adoleshentëve që kanë përdorur substanca narkotike, sivjet ka rënë, domethënë në 15.5 vjeç. Pra, kjo është një gjë e cila e brengos tërë Kosovën apo tërë shoqërinë tonë”, ka thënë Grezda.

Nga afër 40 mijë përdorues të substancave narkotike që llogaritet të jenë në Kosovë, sipas të dhënave nga qendra “Labyrinth”, mbi 10 mijë konsiderohen konsumues aktivë.

“Jemi të shqetësuar me situatën e përdorimit të drogave në Kosovë. Deri para dy-tre vjetëve kemi nejtë më komodë sa i përket përdorimit të drogave për arsye se e dimë se çka ndodh edhe në regjion e Evropë, mirëpo me shpejtësi gjërat kanë shkuar keq”, thotë Safet Blakaj.

E, doktori Grezda bën apel që institucionet të vihen në lëvizje. 

“Duhet që të bëhen fushata të ndryshme sensibilizuese e në radhë të parë nëpër shkolla duhet të mbahen ligjërata një herë në javë nga një gjysmë ore, e të shpjegohet për ndikimin dhe pasojat e dëmshme të kësaj dukurie, apo shqip ‘kanceri i zi’ që po prek rininë tonë të shëndoshë”, thotë ai.
E, pasojat i numëron doktoresha Gashi-Braina.

“Bëjnë vepra të ndryshme, sikurse janë vjedhja, dëmtime të ndryshme në aspektin e veprave të ndryshme penale, therje apo vrasje, shprehje e impulsivitetit, agresivitetit pastaj janë problem të ndryshme sikurse është marrja me prostitucion”, thotë ajo.

Substancat narkotike shpesh tregtohen edhe afër shkollave. Gjatë vitit të kaluar, në 80 raste të regjistruara për blerje dhe posedim të substancave narkotike në shkolla fillore dhe të mesme, ishin të përfshirë 74 të dyshuar nën moshën 18-vjeçare.