Arbëri

Në Mitrovicë, stafi shëndetësor punon pa mbrojtje, banorët kërkojnë që qyteti të futet në karantinë

Stafi shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës së Jugut nuk është furnizuar me rroba adekuate për mbrojtje ndaj koronavirusit.

Mjeku kujdestar, Remzi Rrahmani, shprehet i shqetësuar që nuk i kanë pajisjet e duhura dhe po detyrohen t’i përdorin ato për ndërhyrje kirurgjike, raporton KOHA.

Në këtë qytet aktualisht janë testuar vetëm 11 persona, të cilët kanë rezultuar negativë, gjë që, sipas Rrahmanit, është numër i vogël i testeve dhe se duhet bërë më shumë.

Pa dorëza dhe maska po punon edhe stafi teknik i këtij spitali.

Shoferi i ambulancës, Ejup Gashi, thotë se po punon me orar të shtuar, por nuk po ndihet i mbrojtur.

Banorët, në anën tjetër, përkrahin kërkesën e kryetarit Agim Bahtiri që qyteti të futet në karantinë.

Zyrtarët komunalë e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës lidhur me mungesën e pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe nëse kjo komunë do të futet në karantinë.

Kryetari Agim Bahtiri i ka referuar televizionit të flasë me drejtoreshën e Shëndetësisë në këtë komunë, por ajo ka qenë e paqasshme të hënën.

Bahtiri ka kërkuar që komuna të cilën e drejton ai të futet në karantinë, ndonëse ende nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me COVID-19, meqë, sipas tij, janë të rrethuar me qytetet që tashmë kanë raste të shënuara, si: Skenderaj, Zveçani e Mitrovica Veriore.