Lutje për paqe kanë shprehur besimtarë të shumtë katolikë në meshën e së dielës në katedralen “Nëna Terezë”, ku u mblodhën për të festuar Pashkët. Krerë institucionalë i uruan besimtarët, duke thënë se kjo festë rikujtim për kujdesin ndaj njëri-tjetrit
Ipeshkvi imzot Dodë Gjergji ka bërë thirrje për harmoni dhe paqe në botë, në meshën e së dielës për të kremtuar Pashkët katolike.
Në katedralen “Shën Nënë Tereza”, imzot Dodë Gjergji ka kërkuar ndaljen e luftërave.
“Është në të vërtetë një moment i bukur, që bashkë të ndajmë harenë dhe gëzimin dhe vullnetin tonë për paqe dhe për dashuri, me të gjithë njerëzit që jetojnë në këtë vend duke i ftuar të gjithë që të ndërtojmë së bashku harmoninë dhe paqen, dhe të lutemi për paqe në botë, për të gjithë ata njerëz që sot janë duke vuajtur nga lufta, siç kemi vuajtur edhe ne dikur”, ka thënë ai.
Në meshë për të festuar ditën besimtarëve katolik dhe protestantë, ditë e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Ai ka thënë se kjo ditë është reflektim për paqe dhe harmoni.
“Morëm pjesë në këtë ditë ceremoniale, ditë të madhe të besimit të krishterë, e cila na tregon për reflektim për rijetësim, paqe, harmoni dhe lumturi ndaj njerëzve. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë, urime Pashkët, paçit një jetë të gjatë, të lumtur me harmoni të mrekullueshme, jo vetëm për të krishterët, por për të gjithë botën”, ka thënë Rama.
Besimtarët katolikë dhe protestantë i kanë uruar edhe liderët institucionalë dhe ata të partive politike.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar që kremtja për Pashkët të jetë personifikim i tolerancës.
“Pashkët le ta ringjallin zemërgjerësinë, tolerancën, respektin dhe dashurinë. Gëzuar për shumë mot!”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.
E kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo festë është rikujtim për kujdesin ndaj njëri-tjetrit.
“Pashkët janë shpresë e ogur për një të ardhme më të mirë, bashkë e në paqe. Le të na kujtojë kjo festë e shenjtë rëndësinë e harmonisë dhe të frymëzojë te ne kujdesin për tjetrin. Sot e përmot, Pashkët mbeten simbol i vlerave më të larta humane dhe fuqisë njerëzore për një jetë më të mirë për të gjithë”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se kjo festë sjell mesazhin e besimit dhe angazhimin për të bërë mirë.
“Në këtë ditë të frymës së mirësisë, shpresës së ardhur falë përpjekjes dhe sakrificës, uroj që kjo festë në familjet tuaja dhe në gjithë shoqërinë tonë të vijë me shëndet e begati, dashuri e ngrohtësi për njëri-tjetrin dhe pranë njëri-tjetrit, secili i mbushur me besim e shpresë për të ardhmen e përbashkët”, ka shkruar Konjufca.
Për këtë festë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar njohjen e Kosovës nga shteti i Vatikanit.
“Uroj posaçërisht imzot Dodë Gjergjin dhe Kishën Katolike në Kosovë. Urim të veçantë për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, dhe bashkëpunëtorët, duke shpresuar për njohjen sa më parë të Kosovës nga Selia e Shenjtë”, ka shkruar Haradinaj.