Arbëri

Në mesditë, asnjë qytetar për vaksinim në “1 Tetori”

Asnjë qytetar nuk është parë mesditën e së shtunës në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë. Siç raporton KosovaPress, përveç punonjësve shëndetësorë në këtë qendër në mesditë s’është parë as edhe një qytetar duke pritur për vaksinim kundër COVID-19.

Ditëve të fundit është raportuar vazhdimisht për hezitimin e qytetarëve që të marrin vaksinën “AstraZeneca”, që është e cila po jepet si dozë e parë për qytetarët.

KOHA ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të kësaj qendre, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit deri tash janë dhënë 250 mijë e 658 doza të vaksinave anti-COVID. 63 mijë qytetarë kanë marrë të dy dozat.

Kosova është furnizuar vetëm me vaksinat “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, që kanë miratimin nga autoritetet evropiane e amerikane.

Nga 15 qershori ka nisur procesi i vaksinimit masiv, por që deri tash shifrat kanë ngelur larg paralajmërimeve.

Pas hezitimit të qytetarëve për të marrë vaksinën e “AstraZenecas”, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga java e ardhshme qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin vaksinën që duan.