Arbëri

Në Lipjan kundërshtohet bashkimi i filloristëve me nxënësit e nivelit të mesëm

Komuna e Lipjanit ka marrë vendim që nxënësit e klasave nga e gjashta deri në të nëntën të shkollës “Vëllezërit Frashëri” t’i dërgojë për mësim në objektin e shkollës së mesme “Adem Gllavica” për shkak të rritjes së numrit të nxënësve. Por, ky vendim po kundërshtohet nga prindërit. Ata kanë paralajmëruar protesta, peticione, por edhe mosdërgimin e fëmijëve në shkollë derisa të shfuqizohet vendimi

Prindërit e nxënësve prej klasës së gjashtë deri në të nëntën të shkollës “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan po e kundërshtojnë vendimin për bartjen e nxënësve për mësim në objektin e shkollës së mesme “Adem Gllavica”, që gjendet në dalje të qytetit.

Në komunë kanë thënë se kjo lëvizje e nxënësve u bë për shkak të mbingarkesës së nxënësve nga klasa e parë deri në të pestën në shkollën “Vëllezërit Frashëri”.

Arben Salihu, kryetar i Këshillit të Prindërve, ka thënë se Komuna u pati premtuar se nxënësit e vegjël do ta kenë hyrjen dhe objektin e ndarë nga të rriturit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Në parim të gjithë prindërit në pamundësi për të marrë pjesë në këtë takim janë shprehur se janë kundër këtij vendimi nisur nga fakti që shkolla e mesme janë më të rritur dhe ka edhe probleme e shqetësime e ngacmime për moshat e vogla. Mandej nxënësit më të rritur kanë tjetër mentalitet dhe këta tjetër mentalitet dhe ngacmimet vijnë natyrshëm. Pastaj është një distancë dhe problemi tjetër që siguria është në nivelin më të ulët atje”, ka thënë Arben Salihu, kryetar i Këshillit të Prindërve.

Vendimi është kundërshtuar edhe nga prindërit.

“Kemi ardhur për ta kundërshtuar vendimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për fëmijët që i kanë dërguar në shkollë të mesme, sepse jemi të pakënaqur. Ka shumë arsyeje, njëra ndër to është largësia dhe siguria për fëmijët në atë shkollë”, ka thënë Arjeta Nuredini, prind.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, ka thënë se ishib të detyruar ta bëjnë këtë lëvizje.

Ai zotohet se nuk do të ketë rrezik për asnjë nxënës.

“Nxënësit e paraleleve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën janë të ndarë në një hyrje të veçantë dhe nuk kanë lidhje me nxënësit e tjerë. Janë të ndarë fizikisht dhe asnjë cenim i sigurisë së tyre në atë pjesë nuk është. Cenim i sigurisë mund të ndodhë jashtë objektit shkollor në rrugë që nuk e garantojmë në asnjë shkollë tjetër, mirëpo jemi dakorduar me Policinë që të ketë patrulla më të shpeshta në atë zonë””, ka deklaruar Hasani.

Sipas drejtorit Hasani, finalizimi i objektit të ri të shkollës së mesme “Adem Gllavica” me buxhet të Ministrisë së Arsimit i nisur gjashtë vjet më parë do të bëjë zgjidhje për të gjithë nxënësit e qytetit.

Por prindërit kanë paralajmëruar protesta, peticione por edhe mosdërgimin e fëmijëve në shkollë derisa të shfuqizohet vendimi.