Tentimi për zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete ka dështuar për të tretën herë në Kuvendin e Komunës së Prizrenit. Kryetari Shaqir Totaj të hënën e ka propozuar kuvendarin Merxhan Osmani për këtë funksion, por për zgjedhjen e tij kanë votuar vetëm dy këshilltarë nga radhët e komuniteteve, derisa tre të tjerë kanë qenë kundër. Kësisoj, kryesuesja Antigona Bytyqi ka konstatuar dështimin e zgjedhjes, pasi, sipas saj, me legjislacion nevojitet shumica e votave të kuvendarëve nga radhët e komuniteteve, si dhe shumica e Kuvendit.
Kryetari Totaj, duke arsyetuar propozimin e Merxhan Osmanit për nënkryetar, ka theksuar se ai është një kuvendar korrekt me qasje konstruktive që do ta ndihmonte punën e ekzekutivit në çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet.
“Ky është tentimi i tretë. Nëse nuk votohet edhe sot do të vazhdojmë më vonë edhe me tentime të tjera. Në ndërkohë nëse ndryshohet legjislacioni, do t’i kemi parasysh edhe obligimet që dalin nga ai ndryshim i legjislacionit. Por për sot unë e propozoj kuvendarin Merxhan Osmani për nënkryetar të Komunës së Prizrenit”, ka thënë Totaj.
Ngjashëm si kuvendari Ertan Simitçi, zëvendëskryesuesi i KK-së, Levent Bush, ka përkujtuar se Avokati i Popullit ka rekomanduar MAPL-në që ta ndryshojë Udhëzimin Administrativ për procedurën e emërimit të nënkryetarëve në komuna.
“Ne vetëm kërkojmë zbatimin e ligjshmërisë. Udhëzimi Administrativ nuk është në përputhje me ligjin dhe ne disa herë e kemi shprehur qëndrimin se ky akt duhet të harmonizohet me ligjin. Për fat të keq kjo deri më sot nuk është zgjidhur”, ka deklaruar Bush.
Ndërkaq Haziz Hodaj i LDK-së ka kërkuar që së pari të votojnë kuvendarët e komuniteteve e pastaj ata nga radhët e komunitetit shumicë.
“Po propozoj që fillimisht të mos votojmë kot, se po na shkon ky votim kot neve, të mos harxhojmë votim. Të merren këta vesh ndërmjet vete, nëse votojnë këta pro apo kundër, ne mbesim në pozitën që nuk bëjmë shkelje nëse e bëjmë një gjë të tillë”, është shprehur Hodaj.
Propozimi i Hodajt është miratuar dhe gjatë votimit të kuvendarëve nga radhët e komuniteteve, Merxhan Osmani nuk ka marrë numrin e duhur të votave për zgjedhje në këtë funksion.
Në përpjekjen e parë në Kuvendin e Prizrenit për zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete, propozimi ishte larguar nga rendi i ditës, derisa në tentimin e dytë, kandidati i propozuar nga kryetari nuk pati marrë numër të mjaftueshëm të votave.