Arbëri

Në kujtim të sakrificës së Jasharëve, bëhet thirrje për unitet

Liderët e institucioneve dhe të partive politike, në përvjetorin e 27-të të Epopesë së UÇK-së kanë lartësuar kontributin dhe sakrificën e familjes Jashari për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Qëndresa e tyre përballë forcave të shumta serbe, sipas tyre, i dëshmoi botës vendosmërinë e popullit të Kosovës për çlirim. Epopeja e UÇK-së është shënuar edhe me një varg aktivitetesh gjatë ditës. Më 5 mars të vitit 1998, kishte nisur sulmi ndaj familjes Jashari dhe lagjes së tyre në Prekaz të Skenderajt. Luftimet kishin zgjatur tri ditë. Në këtë përballje të pabarabartë janë vrarë 59 veta, përfshirë edhe 13 fëmijë

Kazerma e Forcës së Sigurisë të Kosovës ushtoi të mërkurën nga zëri i ushtarëve që ia thanë këngës për komandantin e UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, kuadratet e ushtrisë, të ndarë në 27 grupe u rreshtuan para familjes Jashari, liderëve shtetërorë e mysafirëve të shumtë.

Tek këndohej për vëllain e tij, Rifat Jashari i shoqëruar nga përfaqësues shtetërorë parakaloi pranë ushtarëve e bëri homazhe të obelisku i lirisë, në hapësirat e kazermës së FSK-së. Në nderim të dëshmorëve të kombit u realizuan të shtëna edhe me armë.

E sipas presidentes Vjosa Osmani vlerat për të cilat ranë dëshmorët ruhen e jetojnë në kazermën e FSK-së. 

“Ky është vendi ku trashëgimia e komandantit tonë legjendar Adem Jashari nuk është thjesht vetëm një kujtim por është frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të ushtrisë sonë dhe të gjithë kombin dhe të sotëm”, ka thënë ajo.

Osmani rikujtoi dramën treditore të familjes Jashari (5,6 dhe 7 mars 1998) duke e cilësuar atë si njërën ndër betejat më heroike të historisë së kombit shqiptar. 

“Në historinë e njerëzimit rrallëherë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë duke u bërë simbol i qëndresës dhe dinjitetit kombëtar dhe motiv për mijëra luftëtarë dhe luftëtare të UÇK-së. Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e `98-s Jasharët nuk u thyen, nuk u zmbrapsen, por përqafuan pavdekësinë. Në kohët më të errëta ata ndezën dritën e shpresës, në sfidat më të mëdha ata gjetën forcën për sfidat përpara. Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje ata u bënë përgjigja, mburoja dhe zemra e shpirti i këtij vendi”, është shprehur Osmani. 

Presidentja Osmani më tej ka theksuar se ushtria me profesionalizëm e përkushtim është gjithmonë e gatshme t`i dalë zot vendit. 

“FSK-ja ashtu sikurse edhe Policia e vendit janë garanci për sovranitetin tonë, një mburojë për paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë dhe një dëshmi që sakrifica e kombit nuk ka qenë e kotë”.

Ajo në fjalimin e saj bëri thirrje për unitet. 

“Sot më shumë se kurrë ne duhet sërish të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur Kosovën tonë, për ta bërë atë më të fortë, më dinjitoze dhe më të respektuar në botë. Le të ecim përpara me besim, guxim dhe krenari duke i treguar botës se Kosova është dhe do të mbetet një histori suksesi, një vend që e ka fituar të ardhmen me sakrificë”, ka thënë Osmani.

E referuar komandantit Bashkim Jashari, nipit të Adem e Hamëz Jasharit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Forca e Sigurisë e Kosovës sot ka në krye Epopenë e UÇK-së. Më tej ai ka folur për rritjen e buxhetit dhe shtimin e investimeve duke thënë se FSK-ja ka tejkaluar disa nga objektivat e parapara për vitin 2028, për përmbylljen e transformimit në ushtri. 

“Blerjet e sistemeve të armatimit dhe pajisjeve sipas konceptit shtet më shtet, si dhe shtetet prodhuese përveç që i kanë pakësuar hallkat e procesimit të blerjeve kanë siguruar armatime moderne të cilësisë së lartë me çmime shumë herë më të favorshme nga sa paguhej më parë si dhe e kanë thelluar bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me vendet anëtare të NATO-s”, ka thënë Kurti. 
Në shënim të përvjetorit të 27-të të Epopesë së UÇK-së, në kazermën “Adem Jashari” vazhduan aktivitetet, si ajo e Gardës Ceremoniale e orkestrës frymore e kuadrateve të rreshtuara.

Kurti: Çdo lëshim në kufi apo veri, ishte korruptim i sovranitetit në të kaluarën

Kryeministri Kurti paradite ka drejtuar mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës, e cila shënoi fillimin e aktiviteteve shtetërore në shënim të përvjetorit të 27-të të Epopesë së UÇK-së. 

“Çdo kompromis me epopenë është pazar me lirinë që sjell robëri”, ka thënë të mërkurën kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë. 

Ai më tej ka theksuar se si është krenar që Qeveria që ai drejton është në udhën e përcaktuar nga Epopeja e para 27 vjetësh. 

“Çdo lëshim në kufi apo në veri, ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën. Ne i kemi shpallur zotimet tona, si për mandatin e shkuar, ashtu edhe për atë të ardhshëm, për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Organizimi më i madh i krimit burimin e ka në vendet ku është bërë kompromis me lirinë e përcaktimit të një shteti, me sovranitetin e tij”, ka deklaruar Kurti. 

Epopeja e UÇK-së, sipas tij nuk është vetëm e një treve e madje as Prekazi nuk është vetëm i Kosovës. “Epopeja e marsit është aq e lartë sa, përmes trupave që sot prehen në Prekaz, ajo përcaktoi një popull të tërë. As edhe Kosova nuk e ka të drejtën që si e vetme ta përvetësojë heroizmin e Prekazit. Prekazi u përket të gjithë shqiptarëve që mbajnë këtë emër por edhe të gjithë popujve liridashës, të mbarë njerëzimit e përgjatë historisë”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar në shënim të përvjetorit të 27-të të Epopesë së UÇK-së, Kurti ka treguar për punët që janë duke u bërë në kompleksin memorial.

“Projekti i Master Planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, po hartohet tashmë nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë me përvojë shumë dekadëshe dhe ne si Qeveri nuk do të kursejmë asgjë, për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari, do ta shndërrojë në përjetësi”, ka thënë ai.

Liderët partiakë: Qëndresa e Jasharëve i dëshmoi botës vendosmërinë e popullit për çlirim

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, pas homazheve që kanë bërë në Prekaz, ka shkruar se emrat e familjes Jashari janë më të mëdhenj se koha dhe më të fuqishëm se çdo dhimbje, raporton Ekonomia Online. 

“Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë! 27 vjet më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi! Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë”, ka thënë Krasniqi. ” Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari. Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin. Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi. Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari. Lavdi familjes heroike Jashari. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”. 

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz me rastin e fillimit të Epopesë së UÇK-së. Haradinaj ka thënë se në Prekaz sakrifica arriti kulmin e saj.

“Te Prekazi i komandantit legjendar Adem Jashari, aty ku sakrifica arriti kulmin e saj; kujtojmë Epopenë e UÇK-së, të gdhendur përjetësisht në historinë e kombit shqiptar, me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve të flijuar për liri”, ka thënë Haradinaj. 

Sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri e ka kujtuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Në shkrimin e tij, Abdixhiku ka thënë se 27 vjet më parë, Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re.

“Pikërisht më 5 mars të vitit 1998, forcat policore serbe rrethuan familjen Jashari. Qëndresa e tyre përballë këtyre forcave serbe ishte e pakapërsyeshme, e papërsëritshme. Ajo i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për çlirim”. 

Ai ka theksuar se sakrifica e familjes Jashari, e prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, është vetë themeli i lirisë të Kosovës dhe nuk mund të përshkruhet vetëm me fjalë.

“Rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jashari, bashkë me Shaban e Hamëz Jasharin si dhe 56 anëtarëve të familjes, ishte kushtrim për tërë popullin, si dhe këmbanë për luftën e përpjekjen e popullit drejt lirisë. Familja Jashari është shembulli më i pastër i asaj që mund të bëjë një popull për lirinë e tij.

Në këtë ditë, në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kujtojmë me krenari dhe nder, të gjithë fëmijët, gratë e burrat që dhanë jetën për lirinë e Kosovës të cilën e gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët anekënd Kosovës!”, ka shkruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

Epopeja e UÇK-së është shënuar edhe me një varg aktivitetesh gjatë ditës. Ato do të vazhdojnë edhe me 6 dhe 7 mars. Nata e Zjarreve në Prekaz përmbyll shënimin e përvjetorit të 27-të të sakrificës së Jasharëve dhe kujtimit për sulmin që forcat serbe me arsenal të rëndë të armëve, më 5 mars të vitit 1998 nisi sulmin, ndaj familjes Jashari dhe lagjes së tyre në Prekaz të Skenderajt.
Luftimet kishin zgjatur tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit ishin vrarë 22 anëtarë, e 37 të lagjes së tyre e të tjerë të afërm. Mes të vrarëve ishin 13 fëmijë. Sulmit i kishin shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit që ia kishte dalë të ikte nga rrethina dhe Besarta, vajza e Hamzës.

Ky ishte sulmi i tretë ndaj kësaj familje. 

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ishte bërë më 30 dhjetor të 1991-tës, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar të 1998-s.

Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shokë e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.

Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.

Dhe vendosën të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa kompleksi memorial në Prekaz është vendi më i vizituar në Kosovë.