Arbëri

Në krizë koalicioni në Prishtinë

LDK-ja e PDK-ja, dy parti që e përbëjnë koalicionin që udhëheq me Prishtinën, po bashkëqeverisin të ndara nga njëra-tjetra. Kohëve të fundit, partnerët e koalicionit po i promovojnë punët e drejtorive të Komunës, në baza partiake e jo si një institucion

Ku është PDK-ja, është vetëm PDK-ja, me nënkryetaren Donjeta Sahatçiu, asamblistët e kësaj partie, si dhe drejtorët që udhëheqin me ndërmarrjet publike. E në ato ngjarje që i organizon LDK-ja, nuk merr pjesë PDK-ja.

Këto dy subjekte, që e kanë qeverisjen në Prishtinë, ka më se 1 muaj që i kanë ndarë punët dhe aktivitetet, të cilat i promovojnë në baza partiake.

Koalicioni qeverisës, sipas burimeve të KOHËS, po kalon nëpër kohë me tensione. Në fushatën e 2021-tës, kryetari i tanishëm i Prishtinës, Përparim Rama, pati premtuar subvencionim për prindërit që i dërgojnë fëmijët në kopshte private.

“Do të subvencionojmë fëmijët nga 50 deri në 100 euro”, pati premtuar ai në nëntor të 2021-s.

E kur premtimi u jetësua, meritat i mori PDK-ja që udhëheq me Arsimin në kryeqytet, tek i ftoi prindërit të nënshkruajnë kontratat me nënkryetaren Sahatçiu.

“Prej sot, 135 familje të kryeqytetit me të ardhura mujore nën 500 euro pranojnë 70 euro në muaj ndihmë për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe. Në emër të Drejtorisë së Arsimit nënshkrova kontratat me prindër të 135 fëmijëve për të filluar subvencionimin me nga 70 euro të kostos së tyre mujore në çerdhet private të licencuara nga Ministria”, ka thënë Sahatçiu.

E Rama që nuk u ftua të merrte pjesë në nënshkrimin e kontratës me prindërit përfitues, ai e postoi në Facebook një fotografi të tetorit.

I pyetur rreth organizimit të aktiviteteve të ndara me partnerin e koalicionit, Rama theksoi se me rëndësi është që të punohet.

“S’ka asnjë përçarje. Jemi duke punuar në mënyrën më të mirë të mundur dhe projektet e mira po shkojnë përpara. Edhe unë nuk di për ndonjë përçarje”, ka thënë Rama.

Burimet brenda Komunës thonë se PDK-ja kërkon më shumë kompetenca, ngase vlerëson që i ka shpëtuar ndërmarrjet publike nga opozita.

Edhe dy vjet më parë, kur u formua koalicioni, nënshkrimi i bashkëpunimit ishte vonuar pasi që PDK-ja pati insistuar ta merrte Drejtorinë e Arsimit. Asamblisti i kësaj partie, Muhamet Selmani, i ka thënë KOHËS se nuk ekzistojnë përçarjet.

“Do të ishte mirë me pa me sy pozitiv çdo zhvillim në këtë qytet, e me u gëzu që më në fund është formuar një ekip punëtorësh që ja do të mirën këtij populli e këtij qyteti. Për informatën tuaj, drejtoritë i promovojnë secila punët e veta me aprovim absolut të kryetarit”, ka thënë ai.