Nga fillimi i kësaj jave të gjithë ata që ia mësyjnë Kosovës duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit me të dyja dozat. E në ditën e parë të zbatimit të kësaj mase pak qytetarë u futën në Kosovë
Të rralla ishin hyrjet në Kosovë mesditën e së hënës. E ata pak persona që hynë përmes pikës kufitare në Merdar u detyruan të paraqesin dëshminë e vaksinimit me dy doza. Kjo dëshmi kërkohet nga kjo e hënë, në bazë të masave anti-COVID, të miratuara gjatë dhjetorit të 2021-tës nga Qeveria e Kosovës.
“Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19; Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë; Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë). Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia sipas këtij vendimi”, shkruhet në vendimin e Qeverisë.
Beqir Muhadri ishte njëri nga personat e paktë që hyri në Kosovë, mesditën e së hënës. Ai tha se kishte marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.
”Po, na kërkuan kosovarët, serbët jo”, shprehet ai.
E personat të cilët nuk i kanë dy dozat e vaksinës do t’iu mundësohet që të vaksinohen në aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdar, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit. Në pikën kufitare në Merdar, sikur edhe tek të tjerat, është vendosur ekipi mobil për qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen. Në hapësirën ku ishin të vendosura shërbimet për vaksinim nuk u lejuan gazetarët e as nuk u pranua që të jepet ndonjë informacion me arsyetimin se nuk e kanë të lejuar.
Megjithatë, situatë tjetër ishte për të dalë nga Kosova në Serbi. Radhë e gjatë u krijua në Merdar, shkaku se tashmë qytetarët që kishin vendosur të kalonin pushimet në Kosovë po ktheheshin në Perëndim.
E pothuajse gjatë gjithë rrugës nga Podujeva e deri aty shoqëroheshin nga flamujt e shumtë të Shqipërisë, derisa ata që po ktheheshin apeluan tek të gjithë që të vaksinoheshin. Emin Ferri, i cili ishte nisur nga Kosova, tha se kishte marrë tri doza të vaksinës kundër COVID-19.
“Unë personalisht po foli, i kam të tria, na ka bë puna edhe shëndetin, duhet me u vaksinu sepse është për të mirën e krejt njerëzisë”, tha ai.
Teksa Sabdullah Krasniqi, i cili ishte duke shkuar për në Gjermani, tha se situata atje është më e rëndë sesa në Kosovë.
“Po i kemi marrë dy doza, edhe i kemi testet që i kemi bërë dje, i kemi pasur edhe kur kemi ardhur këtu, janë rregulla që duhet me i mbajtë, se mundet me pasë probleme gjatë rrugës... Në Gjermani janë masat më të rrepta, për shkak se numri është më i madh edhe gjendja është më e rëndë”, shprehet ai.
Qeveria e Kosovës në mesin e masave të miratuara në dhjetor kishte vendosur që askush të mos hynte në vend pa qenë i vaksinuar të paktën edhe me një dozë, por kjo masë u largua vetëm disa ditë më vonë. Teksa u lejuan të hynin edhe personat e pavaksinuar e që kishin me vete një test PCR apo detyroheshin të izoloheshin për 7 ditë.