Arbëri

Në kontejnerë pa ngrohje u zhvillua procesi i votimit për shkarkimin e Zeqirit

Pa incidente dhe me interesim të ulët të qytetarëve është zhvilluar procesi i votimit edhe në Komunën e Zubin-Potokut. Në njërën qendër të votimit ku pati reshje të dendura të borës, pati mungesë të kushteve elementare.

Kjo qendër e votimit për rreth 400 banorët me te drejtë vote të fshatrave Crepulë dhe Ceceva në Zubin-Potok nuk pati ndriçim e as ngrohje.

Gjeneratori punonte vetëm për ta mbajtur ndezur kamerën e vëzhgimit për procesin e votimit.

E në temperatura të ulëta, komisionerët e kësaj qendre ngroheshin në një veturë.

Në Komunën e Zubin-Potokut ishin paraparë të hapeshin 14 qendra të vendvotimit, por ato u fuzionuan në pesë sosh.

Vetëm dy nga to u hapën në objekte publike, e tri të tjera u improvizua përmes kontejnerëve.

Qytetarja e dytë që e shfrytëzoi të drejtën e votës në qendrën më të madhe të votimit në objektin komunal tha se është kundër shkarkimit të kryetarit Izmir Zeqiri.

“Jam kundër shkarkimit të kryetarit. Po ka punuar mirë. Duhet të shfrytëzojnë votën të gjithë”, ka thënë një votuese.

Një sërë projektesh ka premtuar kryetari i kësaj komune nëse rezultati përfundimtar i referendumit është në favor të tij.

“Qysh nga fillimi unë kam qenë shumë i fokusuar që me qytetarin do të thotë të jemi të hapur që agjenda për interesin e zhvillimit të themi  qytetarë, që të kemi ide të përbashkëta, që ta shoh edhe qytetari që kërkesat e tyre do të implementohen me ato kapacitet dhe mundësi që i kemi”, ka thënë Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin-Potokut.

Ky proces nuk u përcoll me incidente. Prania e pjesëtarëve të policisë ishte në çdo qendër të votimit, si dhe në rrugët që çonin deri te ato.

Edhe kryesuesi i komisionit komunal zgjedhor, Agim Kastrati, deklaroi se stafi ndihet i sigurt në implementimin e këtij procesi.

“Po gjithsesi unë personalisht ndihem shumë i sigurt. Nuk kam asnjë problem rreth çështjes së sigurisë, posaçërisht tani që jemi në objektin e komunës ku janë prezent edhe policia. Por unë po besoj që edhe në qendrat tjera të vendvotimit dhe në vendvotime të tjera nuk ka ndonjë problem eventual rreth çështjes së sigurisë”, ka deklaruar Kastrati.

Të drejtë vote në këtë komunë kanë pasur 6 877 qytetarë, por deri në orën 15 kanë të drejtë e shfrytëzuan më pak se 20 qytetarë.