Nuk ka të ndalur ndotja e Lumëbardhit të Pejës nga derdhja e mbeturinave të lëngshme që po shkaktojnë helmimin e ujit dhe ngordhjen e peshqve.
Në këtë lumë tash e dy ditë po rrjedh një lëngë i bardhë çimentoje dhe kjo ka shkaktuar shqetësimin e shoqatës së peshkatarëve “Trofta” në Pejë, sipas së cilës pasojat janë të rënda.
“Çdo dytën-tretën javë sa kthjellët pak lumi, sa e kemi mirë gjendjen e peshkut, prapë ndodh kështu një helmim si për shembull tash, edhe kemi mandej ngordhje të peshkut, të troftës autoktone. Me të vërtetë po presim ditë ma të mira, nuk e di, nuk kem çka me thënë më si shoqatë”, thotë Eroll Grapci, kryetar i shoqatës “Trofta”.
Shoqata e peshkatarëve dyshon se kjo ndotje po shkaktohet nga punishtja afër Shtëpisë së Mallrave, ku është duke u realizuar një projekt i Komunës së Pejës.
Por, punëtorët në punishte e mohonin se atë ndotje po e shkaktojnë ata, e madje njëri prej tyre edhe kërcënonte se do ta thyente kamerën derisa KOHA xhironte.
Në komunë nuk kanë pasur informacione. E kallëzim penal për këtë është bërë edhe në Prokurori.
“Do të ndërmarrim veprime ligjore konkrete në drejtim të zbulimit do të thotë se si shkaktar i ç’kafit ka ndodh ajo, kush e ka shkaktuar atë pasojë në Lumëbardhin e Pejës”, tha Leotrim Murtezaj, drejtor i Inspektoratit Komunal.
“Fillimisht të identifikohen personat të cilët e kanë shkaktuar këtë dëm në lum, dhe njëkohësisht të merren të gjitha veprimet ligjore ndaj tyre”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
Ndotja e Lumëbardhit po ndodh vazhdimisht dhe për disa raste të mëhershme, Nikçi tha se prokuroria ka ngritur aktakuza ndaj disa personave juridikë dhe fizikë.