Shumica dërrmuese e qytetarëve të Klinës është vaksinuar kundër COVID-19. Nga rreth 38 mijë banorë rezidentë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, mbi 33 mijë persona janë vaksinuar ndaj COVID-19, me 19 mijë prej tyre me të dyja dozat, kanë bërë të ditur nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.
Siç ka thënë drejtori i kësaj qendre, Haxhi Ibishi, numri i madh i të vaksinuarve kohë më parë, ka bërë që në këtë komunë të ketë rënie të numrit të vaksinimeve brenda ditës.
Derisa disa javë më parë, në ditët kur është shënuar piku i vaksinimit deri në 500 persona të vaksinuar në ditë, tash ky numër ka rënë, dhe, sipas Ibishit aktualisht janë duke u vaksinuar deri në 100 veta brenda ditës me vaksinën e parë dhe e dytë.
“Unë me bindje të plotë them se shumica e popullatës së Klinës mbi 18 vjeçe, që është dashtë ta marrë vaksinën, është vaksinuar”, ka thënë Ibishi.
Në mesin e atyre që po vaksinohen ditëve të fundit ka edhe fëmijë të moshës mbi 12 vjeçe, të cilët po vaksinohen me leje të prindërve.
“Kemi 12, 13, 14... vjeç që po vaksinohen. Prindërit që duan t’i vaksinojnë fëmijët e moshës mbi 12 vjeçe duhet ta kenë një rekomandim nga pediatri ose infektologut”, ka treguar Ibishi.
Deri në javën e kaluar, popullata e Klinës është vaksinuar në palestrën e sportit të shkollës së mesme teknike, e cila ishte shndërruar në qendër të vaksinimit masiv të popullatës. Kurse nga kjo javë, shkaku i të ftohtit në palestër për personelin dhe qytetarët, por edhe shkaku i rënies së numrit të vaksinuare brenda ditës, vaksinimi kundër Covid-19 po bëhet në një hapësirë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë”.
Aktualisht në këtë komunë janë 23 raste aktive me Covid-19. Kurse deri tash betejën me Covid-19 e kanë humbur 69 qytetarë të kësaj komune. Në marsin e vitit të kaluar, në Klinë ishte shfaqur njëri prej dy rasteve të para me Covid-19 në Kosovë.