Arbëri

Në KKSB të Pejës ambientalistët ngrenë shqetësimet për gjendjen mjedisore

Në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, të enjten, i cili i është dedikuar kësaj radhe mjedisit dhe fenomeneve negative, që e dëmtojnë mjedisin, janë ngritur shqetësimet nga disa përfaqësues të organizatave mjedisore në Pejë, për gjendjen në mjedis, sidomos për ndotjen e lumenjve dhe zjarret që po shfaqen në këtë periudhë nëpër pyjet e Rugovës, si dhe për shkatërrimin e shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i paligjshëm i zhavorrit.

Fatos Lajçi, nga organizata mjedisore “ERA”, tha se zjarret e fundit që kanë ndodhur në pyjet e Rugovës, e veçmas ai që ishte në fshatin Stankaj të Rugovës, ku u dogjën rreth 20 hektarë pyje, po ndodhin nga papërgjegjësia e qytetarëve që dalin dhe ndezin zjarre pa kujdesin që mund të shkaktojnë djegie të pyjeve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lajçi nuk beson që këto zjarre kanë qenë burim i zjarrvënies së qëllimshme, për ndonjë arsye të interesit apo përfitimit në ndonjë mënyrë, pasi sipas tij nuk lejohet më të bëhet pastrimi i pyjeve nga personat privatë, që nëse i digjet pylli me i marr drurët në atë pyll në emër të pastrimit. Sipas Lajçit, pastrimi i pyjeve bëhet nga Drejtoria e Parkut Kombëtar.

Pastaj Lajçi ngriti edhe shqetësimet për ankesat e shprehura prej turistëve të huaj që frekuentojnë zonat nëpër pyje në zonat kufitare me Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku përgjatë shtigjeve ekzistuese të ecjeve dhe vendeve të tjera në atë zonë shohin mjaft mbeturina të hedhura.

Kurse Urim Xharavina nga organizata mjedisore “Let's Do It Peja”, ka ngritur shqetësimet e tij për mbeturinat që po hedhen nëpër lumenj, si dhe dëmtimi i lumenjve nga eksploatuesit e zhavorrit. Ndërsa kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se djegia e pyjeve e në veçanti djegia në fshatin Stankaj të Rugovës, sipas informacioneve që ai i posedon, ka qenë djegie e qëllimshme e malit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)