Arbëri

Në kërkim të shpëtimit nga drogat

Foto: Koha / ilustrim

Për dhjetë vjet Ganimete Pashoja-Myftiu kishte shpresuar e pritur që djali i saj t’i thotë STOP drogës.

Kthimi nga Amerika në Kosovë, në moshën e adoleshencës në një mjedis tjetër dhe dëshira për të provuar gjëra të reja kishin nxitur kureshtjen e djalit 15-vjeçar të provojë edhe marihuanën. Por ajo e kishte mbërthyer në “kthetrat” e saj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Varshmëria nga substancat narkotike, siç thotë ajo, po ia merrte djalin për së gjalli. Pas disa vitesh përdorimi të marihuanës atij iu shuan krejt ndjenjat për familje e shoqëri.

Për gjendjen e tij, Ganimete Pashoja-Myftiu e fajëson edhe veten. Thotë se duke u përpjekur t’i ndjekë disa tradita shqiptare për nderimin e shtëpisë, nuk ka arritur t’u kushtojë kohë të mjaftueshme fëmijëve të saj në moshën e adoleshencës, kur është rreziku më i madh të devijojnë në jetë.

“Për dhjetë vjet kam ndier zbrazëti shpirtërore të papërshkrueshme”, thotë ajo me shikimin e përhumbur diku në cepin e tavolinës që ka përpara.

I biri kishte nisur abuzimin me droga duke eksperimentuar edhe me tableta, pa dijeninë e prindërve. Madje pas një kohe ai kishte filluar t’ua shpalosë atyre kombinimet që i bënte për me u ndie siç shprehen përdoruesit e drogave më “high”.

Qëllimi i krejt abuzuesve të substancave, sipas saj, është me u ndie “high”, që do të thotë me përjetua një gjendje më të këndshme shpirtërore përkohësisht. “Ky është motivi kryesor që i fut ata në këtë greminë”.

Ganimete Pashoja-Myftiu tregon edhe për një kompromis që e kanë bërë si familje e që ka dalë të jetë gabim i madh.

Për shkak të gjendjes së keqësuar të djalit ajo dhe bashkëshorti kishin ardhur në pikën që ta shoqërojnë atë në vendin ku i blinte drogat.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”)