Arbëri

Në kërkim: Si publikohen fotografitë e të dyshuarve

Fotografi të personave të dyshuar për vepra penale si trafikimi me narkotikë, vjedhjet, e deri te vrasjet që nga viti 2019, Policia e Pejës i publikon në ueb-faqen e policisë dhe i shpërndan përmes mediave, duke kërkuar informata për ta nga qytetarët. Kjo praktikë, që realizohet në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në këtë komunë, ka rezultuar e suksesshme, por që nuk ndiqet nga rajonet e tjera

Besnik Dautaj është në kërkim të Policisë rajonale të Pejës si i dyshuar për raste të mashtrimit e vjedhjes.

Fotografi të të dyshuarve, Policia e Pejës, me pëlqimin e Gjykatës në këtë komunë, ka publikuar me dhjetëra.

Që prej vitit 2019, Policia, në bashkëpunim me Gjykatën, publikon fotografi të të dyshuarve që janë në kërkim në uebfaqen e policisë, e u dërgon mediave për ta shpërndarë te qytetarët.

Detajet se si ka nisur kjo praktikë, i tregon togeri Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.

"Për të marrë një hap të tillë fillimisht është dashtë që të marrim autorizimin nga prokuroria e shtetit, kemi pasur takime dhe kemi marrë pëlqimin e prokurorisë së shtetit për t’i publikuar personat të cilët duhet të sillen para drejtësisë. Çdo të premte, kemi filluar nga fundi i gushtit (është fjala për 2019) gjatë vitit 2020 e kemi ndërprerë këtë veprimtari, për shkak të pandemisë, për një kohë jo shumë të gjatë. Tani, veç po vazhdojmë, këtë punë e kanë marrë model edhe disa regjione të tjera dhe po besojmë që ka me u rritë sepse ka rezultuar si hap i suksesshëm për kapjen e personave të cilët kërkohen nga gjykata’’, ka thënë Gashi.

Suksesi, sipas Gashit, ka ardhur falë bashkëpunimit të qytetarëve, që nuk hezitojnë të raportojnë të dyshuarit në kërkim.

‘’Kemi raste, dhe jemi të kënaqur me ndihmën e qytetarëve. Nëse sot është ditë e premte dhe na e lëshojmë njoftimin kemi rast kur qytetarët telefonojnë përmes numrit të policisë 192 edhe tregojnë, personi është në këtë vend, në këtë lokacion, në këtë adresë të qytetit. Nga 1 janari deri tani, 5 raste do të thotë 5 persona janë arrestuar falë ndihmës së qytetarëve dhe i kemi dërguar para gjykatës, e cila e ka kryer punën e saj’’, është shprehur ai.

Bashkëpunimin me qytetarët më të lehtë e bën Qendra Operative në këtë rajon.

Deri tani, janë publikuar portrete të personave në kërkim për vepra penale nga kanosjet me armë, vjedhjet, trafikimi me narkotikë e deri te vrasja.

Megjithatë, jo çdo person që është në kërkim nga policia dhe gjykata gjendet në Kosovë.

‘’Të gjithë të kërkuarit përmes shpalljes, publikimit në media, janë persona të cilët kanë kryer vepra të rënda penale. Edhe përzgjedhja e tyre bëhet nga zyrtari që është i ngarkuar nga gjykata, për vepra të rënda penale. Vrasje, grabitje, plaçkitje apo vepra të rënda penale. Disa herë policia për shembull një person, shumë ka prej këtyre personave që i kërkojmë dhe nuk dihet adresa, familjarët apo të afërmit e tyre deklarojnë se janë jashtë shtetit dhe në të shumtën e rasteve ka ndodhur që është e vërtetë që ata janë jashtë shtetit’’, ka bërë të ditur Gashi.

Pejanët e vlerësojnë bashkëpunimin me organet e rendit, pasi thonë se u ofron më shumë siguri.

“Në qoftë se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm me bashkëpunu me policinë, policia s’ka me mujtë me i arrestu kurrë e hajdutët vetëm kanë me u shtu...’’, ka thënë qytetari Qaush Gashi.

‘’Ky bashkëpunim është shumë me vend, shumë i qëlluar, shumë është e rëndësishme. Ndihma jonë e afron punën shumë për policinë edhe ndihemi shumë ma të sigurt..’’, ka deklaruar Niman Berisha.

Shembullin e rajonit policor të Pejës rrallë e ndjekin rajonet e tjera policore. Kjo për shkak se këto rajone varen nga publikimet e gjykatave rajonale për personat që ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Një bashkëpunim i tillë si i gjykatës rajonale të Pejës për policinë rajonale të këtij qyteti mungon nëpër komunat e tjera’.

Nga drejtoria e përgjithshme e Policisë kanë thënë nuk mund të bëjnë publikime të tilla pa i kontaktuar fillimisht gjykata për t’i njoftuar për persona me të kaluar kriminale.

Në përgjigjen që ky institucion i ka dërguar televizionit thuhet se një bashkëpunim i tillë me qytetarët sjell suksese në kapjen e kryerësve të veprave.

‘’Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, bashkëpunon me organet e drejtësisë dhe në të gjitha rastet ku kërkohet shpallja e personave të dyshuar në kërkim, pas marrjes së pëlqimit/vendimit nga organet e drejtësisë, policia publikon personat në kërkim. Përmes publikimit të personave në kërkim, policia kërkon bashkëpunim nga qytetarët për të marrë informacione që u ndihmojnë hetuesve policorë në procesin e kompletimit të lendeve që janë duke i hetuar.

Ka pasur raste që falë bashkëpunimit me qytetarë, personat e dyshuar të arrestohen. Policia, çdo herë ka falënderuar qytetarët për ndihmën e dhënë në këtë drejtim’’, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sikur në rastin e gjykatave e Policisë në rajonet e tjera pos atij të Pejës, e kritikojnë Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Sipas hulumtuesit Shpat Balaj, zakonisht si gjykatat, si policia janë organe që përgjegjësitë ia bartin njëra-tjetrës, çka çon në këtë moskoordinim mes tyre.

“Kjo është një praktikë e re për Policinë e Kosovës prej asaj që kemi mund me vërejte nga raportimet që i ka bërë Policia e Kosovës. Edhe mendoj që është e dobishme dhe e rëndësishme që këtë praktikë me bart edhe te drejtoritë e tjera rajonale. Gjithashtu, një praktikë e tillë është një mundësi e mirë e Policisë së Kosovës që me ndërvepru ma shumë me qytetarët e Kosovës e pse jo edhe me rritë tutje besimin që qytetarët e kanë te ky institucion. Në përgjithësi komunikimi me gjykatën gjithsesi që është kyç dhe jo vetëm në këtë aspekt po edhe në fusha të tjera edhe ne si QKSS kemi avoku dhe e kemi ngritë zërin që ky bashkëpunim duhet me u thellu edhe me qenë më i bazuar nëpër principe, sepse shpesh herë e vërej që qoftë njëra, qoftë tjetra e lajnë fajin tek tjetri institucion për shkak të mosefektshmërisë për procese të ndryshme’’, është shprehur Balaj, hulumtues në QKSS.

Balaj thotë se Policia duhet ta përditësojë edhe qasjen në rrjete sociale, pasi në raste të caktuara dalin joserioz.

“Policia e Kosovës duhet me evolu, duke e marrë parasysh edhe evoluimin e teknologjisë edhe qasjen që qytetarët e Kosovës e kanë në internet. Sot mbi 90 për qind e familjeve kosovare kanë qasje në internet, edhe FACEBOOK për shembull si njëra prej rrjeteve më të përdorura sociale i ka mbi 1 milion profile vetëm prej Kosovës. Edhe rrjedhimisht Policia e Kosovës duhet me iu përshtat kësaj forme të komunikimit edhe duhet me qenë më aktive, por gjithashtu edhe më profesionale në komunikim në rrjete sociale. Aktualisht PK-ja e ka një faqe në Facebook të cilën e përdor, por kontenti që ata e vendosin aty është bukur jo profesional edhe nuk është lehtë i konsumueshëm prej qytetarëve. Ata kishin mujtë me i përdorë këto platforma për me qenë ma afër me qytetarët e vet, edhe me i promovua partneritetet që i kanë qoftë me institucionet e tjera qoftë me individë të ndryshëm edhe me tregu që në fund të ditës edhe Policia e Kosovës janë pjesë e këtij komuniteti dhe janë këtu për me i ndihmu qytetarët’’, ka vazhduar ai.

Derisa nga Gjykata Themelore e Pejës kanë thënë se vendimet i marrin në bazë të neneve që lidhen me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, KOHA nuk ka marrë përgjigje gjatë javës nga Gjykata Themelore e Prishtinës për mungesën e bashkëpunimit me policinë në këtë drejtim.

“Gjykata Themelore në Pejë, në kuptim të nenit 175 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe nenit 535 të po të njëjtit kod, lëshon urdhër arrest dhe letër reshtim vendor ndaj personave që janë të pakapshëm për organet e drejtësisë. Një kopje e urdhër arrestit dhe letër rreshtimit të lëshuar nga gjykata, i dorëzohet Stacionit Policor sipas vendbanimit apo vendqëndrimit të personit të kërkuar, për veprim të mëtejmë nga ana e tyre.

Publikimet e kërkesave për bashkëpunim bëhen nga Stacioni Policor dhe gjykata nuk ndërmerr asnjë veprim në atë drejtim përveç lëshimit të urdhër arrestit dhe letër rreshtimit vendor’’, ka thënë zyrtarja për informim e Themelores në Pejë, Tringë Zhuti.

Përndryshe, portretet e disa prej të dyshuarve që janë në kërkim nga Policia e Kosovës vazhdojnë të jenë e publike në ueb-faqen e këtij institucioni.

https://www.kosovopolice.com/sherbimet/personat-ne-kerkim/