Rezistenca ndaj planit të kryetarit Qëndron Kastrati, për reforma në fushën e arsimit në Kamenicë po vazhdon.
Përderisa nuk kanë mbetur shumë ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, përfaqësues të disa fshatrave tashmë e kanë bërë të qartë vendimin e tyre: do t’i dërgojnë fëmijët në shkollat ku e kanë nisur mësimin, raporton KTV.
Kadri Rahimi nga Këshilli Lokal i fshatit Kopernicë, sheh pak gjasa që ky vit i ri, të nisë me ndryshimet e përmendura, të cilat edhe ashtu i kundërshtojnë.
Derisa Haqif Agaj, kryetar i këshillit lokal në Hogosht, thotë se janë për reformë, por që ato të bëhen gradualisht.
Të enjten, sindikatat e arsimit fillor dhe të mesëm në këtë komunë, me përkrahje të SBASHK-ut, kanë paralajmëruar masa deri në grevë, nëse nuk hiqet dorë nga mbyllja e shkollave.
Më 2 shtator, mësimi do të nisë në shkollat amë, e më 3 shtator do të ketë grevë dyorëshe për t’i dhënë kohë kryetarit Kastrati të tërhiqet nga ndryshimet, në të kundërtën, mësimdhënësit do të hyjnë në grevë për kohë të pacaktuar.
Por, sulmet dhe kundërshtimet ndaj planit të tij, kryetari i Komunës i lidh edhe me periudhën para fushatës zgjedhore, teksa insiston se ideja thelbësore është në rritjen e cilësisë në arsim.
Me reformë, përveç nxënësve, sipas Kastratit, përfitues do të dalin edhe mësimdhënësit, duke iu referuar pretendimeve që një numër i madh i tyre do të mbesin pa punë.
Megjithëse është diskutuar tash e një kohë, zyrtarisht ende nuk ka një vendim për fillim ose jo të planit për reformë, por Kastrati shton se së shpejti do të ketë një vendim për këtë çështje.