Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, po vazhdon dëshminë Frederick Abrahams, nga Organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”.
Abrahams është dëshmitari i 22-të në këtë çështje dhe në seancën e djeshme u është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtjes së Thaçit dhe ka filluar ta përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së Veselit.
Edhe në seancën e së enjtes ai është duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit, avokatit Ben Emmerson.
Seanca po vazhdon në sesion publik.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë. / BpD