Arbëri

Në Gjilan thonë se Ambulanca s’po kryhet për motive politike, Ministria e mohon

Për një nënshkrim të ministrit të Shëndetësisë. Uran Ismajli, punimet për ndërtimin e Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, kanë mbetur në gjysmë.

Pavarësisht kërkesës së komunës për nënshkrimin e një aneks-kontrate për vazhdim të punimeve në këtë projekt ndërmjet komunës dhe ministrisë, kjo e fundit nuk po shpreh gatishmëri për ta bërë një gjë të tillë, raporton KTV.

Kështu, qytetarët e Gjilanit do të vazhdojnë të mos marrin shërbime të duhura të shëndetit parësor edhe për një kohë të gjatë.

Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, thotë se nuk e di arsyen e zvarritjes së këtij projekti, por ka dyshime se kjo po ndodh për arsye politike.

Ndërsa, menaxheri i këtij projekti Sami Ahmeti, thotë se mjetet kanë qenë në dispozicion, por nuk ka asnjë informacion se pse punimet nuk po vazhdojnë.

Deri më tani, sipas menaxherit, janë kryer vetëm punimet e vrazhda.

Qytetarët thonë se kjo qendër është shumë e nevojshme.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë mohuar se vonesat në vazhdimin e punimeve po bëhen për qëllime politike.

Në një përgjigje me shkrim kjo ministri ka thënë se mos nënshkrimi i kësaj kontrate po ndodh vetëm për shkak të mospërputhjeve midis dinamikës së punimeve në terren dhe aspekteve financiare të projektit, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për buxhetin 2019.

“Për shkak të mospërputhjeve midis dinamikës së punimeve në terren dhe aspekteve financiare të projektit, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për buxhetin 2019, MSh dhe Komuna e Gjilanit pritet të nënshkruajnë një Marrëveshje mirëkuptimit (ndryshim i marrëveshjes ekzistuese) për projektin e QKMF-së në Gjilan, me qëllim të përfundimit të projektit”, thuhet në përgjigjen nga MSH.

Në vitin 2016, ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, kishte nënshkruar marrëveshje me kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, derisa LDK-ja udhëhiqte me Qeverinë për ndërtimin e këtij objekti, punimet për të cilin ishin paraparë të përfundonin brenda tre vjetësh.