Në fshatin Gadime të Lipjanit është vënë gurthemeli i ndërtimit të objektit të ri i paraleles së ndarë të gjimnazit “Ulpiana”. Ky projekt, i cili financohet nga komuna e Lipjanit, ka koston 170 mijë euro.
I pari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se ky projekt plotëson kushtet e nevojshme dhe pritet që në verën e vitit 2021 të përfundoj.
Ai tha se është investim i komunës dhe kostoja e ndërtimit të objektit të kësaj paraleleje të gjimnazit kap shifrën 170 mijë euro.
Drejtori i paraleles së ndarë të gjimnazit “Ulpiana” në Gadime, Naser Kaqari e ka mirëpritur ndërtimin e objektit të ri të kësaj shkolle. Ai tha se 183 nxënës vijojnë mësimin në këtë paralele të gjimnazit “Ulpiana”.
Drejtori i shkollës fillore “ Zenel Hajdini”, Skender Ademi theksoi rëndësinë e ndërtimit të ambientit të ri të paraleles së ndarë fizike të gjimnazit “Ulpiana”, në Gadime. / KsP