Arbëri

Në fushatë, ministri Murati thotë se zbatimi i Ligjit për Tatim në Pronë shtyhet për 2026

Në një video të fushatës zgjedhore, ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se zbatimi i Ligjit të ri për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i paraparë të nisë sivjet, është shtyrë për vitin 2026. Sipas tij, krahas për prona të bizneseve, zbatimi i ligjit sivjet nuk do të vlejë as për pronat private të banimit. E lidhur me këtë, në ministri nuk iu përgjigjën pyetjes së KOHËS nëse është nxjerrë vendim

Qysh nga viti i shkuar, Ministria e Financave pati paralajmëruar se Ligji i ri për Tatimin në Pronën e Paluajtshme nuk do të zbatohet sivjet për bizneset, e në një video të 16 janarit, ministri Hekuran Murati thotë se ai nuk do të vlejë as për qytetarët që paguajnë tatim për prona rezidenciale.

Në këtë ministri, që prej 8 janarit nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS se sa do të jetë vlera e tatimit në pronë për sivjet dhe nëse ka plane për lehtësimin e barrës tatimore për qytetarët.

Por në një video të fushatës zgjedhore, kryeministri Albin Kurti i kërkon ministrit ta sqarojë punën me këtë tatim.

“Mirëpo nuk kemi arritur që sivjet ta bëjmë të gatshëm sistemin kështu që është shtyrë për vitin e ardhshëm”, dëgjohet të thotë Murati.

Në ministri, as të premten nuk u përgjigjën në pyetjen e KOHËS nëse për këtë është nxjerrë vendim.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, i pati thënë KOHËS më 8 janar se Kuvendi vendosi për mosndryshimin e normës së tatimit.

“Sa i përket tatimit në pronë, Kuvendi ka votuar me Ligjin e buxhetit mos-ndryshimin e normave të tatimit në pronë. Domethënë, nuk ka ndryshime nga niveli qendror. Mbetet në kompetencën individuale të komunave të përcaktojnë shkallët tatimore për secilën kategori”, pati deklaruar ajo.

E Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, ka thënë se Ministria e Financave, vitin e shkuar e pati shtyrë zbatimin e Ligjit të ri me kërkesë të kryetarëve.

“Pas reagimit të kryetarëve të komunave përmes Asociacionit, sepse kryetarët e komunave kanë pasur takime me bizneset e ndryshme, ku ata janë ankuar për faturat e tatimit në pronë që do t’i vijnë këtë vit, atëherë Ministria e Financave ka marrë vendim që kjo pjesë e ligjit të mos zbatohet këtë vit, por të shtyhet për vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Me Ligjin e ri për Tatimin në Pronë, ngarkesa tatimore progresive parashihet të rritet për pronat që kanë vlerë më të lartë. Sipas përllogaritjes së AKK-së, nëse zbatohet norma prej 0.15 për qind, atëherë për një pronë 100.000-euroshe tatimi do të jetë 150 euro e për atë prej 500.000 eurosh, vlera e tatimit do të jetë për 200 euro më e lartë se më parë.