Arbëri

Në Dragash mbyllet objekti qendror i katër komunave ilegale serbe

I është vënë dryni një objekti trekatësh në Dragash në të cilin kanë vepruar struktura ilegale të katër komunave paralele serbe. Gjatë bastisjes autoritetet gjetën edhe një fotografi në të cilën shihet deputeti Adem Hoxha. Dy ministra të Qeverisë, që përcollën aksionin në Dragash, dhanë zotimin për ta luftuar ilegalitetin në çdo cep të shtetit

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur të premten një objekt në Vranisht të Dragashit, nga i cili kanë lëshuar dokumente katër komuna paralele serbe që kanë vepruar ilegalisht. Me dokumente që prezantojnë komunat si pjesë të Serbisë janë pajisur qytetarë serbë e goranë të Dragashit e edhe të Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit.

Aksioni është asistuar nga Policia dhe është përcjellë edhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Krasniqi tha se me këtë aksion u mbyllën katër komuna që kanë vepruar ilegalisht deri tash.

“Aktiviteti ilegal i strukturave paralele të Serbisë ka fund. Këto objekte nuk mund të funksionojnë. Funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin. Kosova ka komunat të cilat janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të gjithë qytetarëve”, ka thënë ministri Krasniqi.

Gjatë aksionit në objektin e strukturave ilegale autoritetet gjetën edhe një fotografi në të cilën shihet deputeti Adem Hoxha, i cili në vitin 2016 ka qenë kryetar i Komunës paralele të Gorës. Ai i përket Partisë Unike Gorane, por në shumë raste ka shërbyer në grupin parlamentar të Listës Serbe.

Ministri Krasniqi paralajmëroi se do të mbyllen të gjitha objektet e strukturave ilegale të Serbisë që veprojnë në Kosovë.

Zotim të ngjashëm dha edhe ministri Sveçla.

“Ashtu siç jemi zotuar, në çdo cep të Republikës së Kosovës do të luftohen kriminaliteti, ilegaliteti dhe çfarëdo shkelje e ligjit. Në Republikën e Kosovës do të ketë organe legjitime, të cilat do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim”, ka thënë ministri Sveçla.

Një ditë më parë ministrat Sveçla dhe Krasniqi përcollën edhe aksionin në Zveçan për largimin e bilbordëve me fotografitë e politikanëve e personaliteteve të tjera serbe dhe ruse, përfshirë ato të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe atij rus, Vladimir Putin.

Krahas tyre, në këtë bilbord ishin edhe fotografitë e tenistit serb, Novak Gjokoviq, kirurgut Zoran Krivokapiq, diplomatit jugosllav Kostiq, ish-drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe kryetarit të Komitetit të Republikës Sërpska për ndihmë për serbët në Kosovë, Milorad Arllviq, të cilët u patën shpallur qytetarë nderi nga strukturat ilegale dhe që në të shkuarën edhe u patën shprehur publikisht kundër shtetësisë së Kosovës.

Ministri Sveçla ka thënë se simboli i vetëm i Serbisë përbrenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

“Në Republikën e Kosovës nuk ka vend për figura të diktatorëve, të pushtuesve, agresorëve. Ne jemi një vend demokratik, i përcaktuar qartë për vlera perëndimore, prandaj që nga sot në asnjë cep nuk do të lejohen simbolika të diktatorëve apo të vendeve të cilat janë agresore në raport më Kosovën dhe gjithë shtetin e saj”, ka thënë ai.

Edhe në Dragash ministri Sveçla ka përsëritur se i vetmi vend i Serbisë përbrenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.