Me ngjyrë portokalli është ndriçuar ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Por, edhe në këtë ditë pati raste të dhunës ndaj tyre.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, të mërkurën, u përmendën dy raste të dhunës në familje, një në Gjakovë ku bashkëshorti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij, e tjetri në Lipjan ku u raportua një rast i përdhunimit.
Vetëm gjatë javës së fundit u raportuan më shumë se dhjetë raste të dhunës ndaj grave.
Qytetarët mendojnë se shteti nuk po bën sa duhet për mirëqenien e grave.
“S’respektohen hiç as prej këtyne të mëdhenjve. Ata nalt nuk shohin a durojnë gratë a vdesin uni, se gratë s’i llogarisin për njeri”, ka thënë Semije Hashani.
“Ka dhunë fizike ndaj grave, rastet e tilla përditë po raportohen”, ka thënë Rushit Rrecaj.
“Nëse merret një distancë kohore, tash të drejtat janë shumë ma ndryshe ndoshta për faktin se zonjat janë më të avancuara ekonomikisht. Një grua më herët s’ka pas çare pa nejt në shtëpi. E ka rrit respektin ndaj vetvetes me emancipim”, ka thënë Xhavit Miftari.
Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës ka thënë se këtë vit, duke e ndërlidhur edhe situatën me pandeminë, dhuna ndaj grave ka qenë barbare.
“Ky vit ka qenë alarmues dhe ka pasur raste të humbjes së jetëve, dhuna ka qenë barbare dhe pavarësisht mekanizmave ekzistues mendoj që duhet bërë më shumë në raport me ndëshkimet”, ka thënë ajo.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave ka reaguar Phumzile Mlambo-Ngcuka, Drejtoreshë Ekzekutive e UN Women.
Sipas saj, vetëm vitin e kaluar, 243 milionë gra e vajza u përballën me dhunë nga partnerët e tyre. Ndaj, duhet të ketë reagim global për eliminimin e dhunës ndaj grave sikur reagim ndaj pandemisë së koronavirusit.
“Sikur reagimi ndaj saj të ishte aq mirë i financuar sa reagimi ynë ndaj virusit dhe ndikimeve të tij në shoqëritë dhe ekonomitë tona. Paramendoni sikur të kishim investuar të njëjtën sasi të ekspertizës dhe energjisë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme globale. Sikur të gjithë udhëheqësit ,duke përfshirë udhëheqësit e shteteve, të kishin lënë çdo gjë për ta udhëhequr luftën kundër dhunës. Paramendoni sikur të gjithë ta bënin këtë derisa ta rrafshonim kurbën e dhunës ndaj grave. Paramendoni ndikimin që do të kishte pasur”, thuhet në deklaratën e Mlambo Ngcuka.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës ka ndarë 2 milionë euro për mbështetje financiare për gratë në biznes.
Kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se forma më fuqishme e ndikimit afatgjatë dhe konsolidimit të pozitës së gruas në shoqëri është pavarësimi i saj financiar.
“Nuk do të kursehemi për asgjë. E kemi obligim institucional dhe njerëzor që të kujdesemi për një shoqëri të barabartë. Është kauza më fisnike e shoqërisë është angazhimi për fuqizimin e ligjit dhe mbrojtjen e grave ndaj dhunës”, është shprehur Hoti.
Ndërkohë, është nënshkruar edhe një deklaratë kundër ngacmimit seksual në Administratën Publike të Kosovës, ku u tha se do të mbrohet barazia mes gjinive si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovës
25 nëntori njihet si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas.