Janë bërë gjashtë ditë nga greva e minatorëve të ndërmarrjes metalurgjike “Trepça”. Ndonëse gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar, grevistët shprehen të vendosur në kërkesat e tyre deri në plotësim. Të dielën, ata kërkuan që t’u vijë në vizitë kryeministri Kurti meqë siç thanë, ai mund t’u bëjë zgjidhje për tejkalimin e situatës së krijuar.
Në gjendje të rënduar shëndetësore, por të vendosur deri në plotësimin e kërkesave të tyre po vazhdojnë grevën minatorët e “Trepçës”.
Të shtunën pas mesnate katër prej tyre u dërguan në Emergjencë e dy të tjerë të dielën paradite, ndërsa deri në mesditë, 18 pranuan tretman mjekësor.
Në ditën e gjashtë, ata kërkuan nga shefi i Qeverisë që të përdorë autoritetin e tij në plotësimin e kushteve të punës, shkarkimin e kryeshefit dhe sigurimin shëndetësor.
“Për çdo ditë gjendja është duke u rënduar, se çdo ditë krejt këtu po rrina, bujna këtu në Minierë, ajri është i keq ka gazra ka gjithçka”, ka thënë Bajram Sadriu, minator.
“Greva nuk ndërpritet deri në dorëheqjen ose shkarkimin e kryeshefit Enis Abdurrahmani. Sepse ai nuk ka qenë bashkëpunëtor me neve, nuk e di çfarë do ai me neve, në çfarë gjendje na ka sjellë”, ka thënë minatori Gentrit Beqiri.
E mjeku Ridvan Ramaxhiku u shpreh se disa prej tyre veçse janë të sëmurë dhe me qëndrimin në Minierë gjendja mund t’u përkeqësohet.
“Shumica e tyre kanë pasur tretman për kokëdhimbje për shkak të rritjes së tensionit arterial. Disa kanë pasur edhe mundime ose dhimbje trupore”, ka deklaruar Ramaxhiku.
Minatorët thonë se të gjitha kërkesat e kryeshefit Enis Abdurrahmani janë plotësuar nga ana e tyre, por siç thonë ata, ai nuk është i duhuri për menaxhim të ndërmarrjes.
“E ka lypë prodhimin, i ka dalë ma shumë se sa e ka lypë, krejt senet i ka lypë. Do të thotë kushtet tona nuk plotësohen, ai duhet dorëheqjen me japë. Pa japë dorëheqje ne nuk dalim prej këtu”, është shprehur minatori Edmond Selimi, minator.
E kryesindikalisti Ibrahim Januzi, tha se tejkalimi i situatës mund të bëhet vetëm nëse i viziton kryeministri Albin Kurti.
“I bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës që të vijë, se i vetmi është ai i cili mund ta gjejë zgjidhjen dhe të dalim prej kësaj situate për të cilën nuk po e dëshirojmë as ne si Sindikatë, për të cilën në fuqi tona dhe kapacitete tona nuk kemi mundësi me i nxjerrë këta njerëz”, ka thënë Januzi.
Gjatë ditës, drejtuesit e “Trepçës” në një reagim i quajtën “sabotues” minatorët. Sipas tyre, shumë shpejt do të ndërmerren veprime për siç kanë shkruar, sabotimin e bojkotimin e punës, si dhe hyrje – daljet e pakontrolluara të punëtorëve.
Ndërmarrja “Trepça” që nga paslufta ka operuar me probleme. Për të ruajtur funksionimin e saj disa herë janë ndarë mjete nga buxheti i Kosovës.
Në Raportin e Auditimit për “Trepçën” në periudhën 2019-2021, gjetjet tregojnë se ka parregullsi në menaxhimin e ndërmarrjes dhe se nuk ka rezultate pozitive në prodhim.
“Trepça Sh.A. nuk ka arritur që të krijojë parakushtet e duhura për operim të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare. Faktor jo më pak determinues në ngecje të përmbushjes së objektivave ishin lëvizjet dhe ndryshimet e shpeshta të zyrtarëve në pozitat e larta menaxhuese”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Qeverisë i është rekomanduar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme për të “siguruar rivlerësimin e aseteve të Trepçës”.
Kryeministri Kurti, disa muaj pasi erdhi ne krye të Qeverisë pati premtuar 70 milionë euro investime në Trepçë për vitin 2022 dhe 2023. Ndërsa deri më tani, Qeveria ka subvencionuar “Trepçën” me afër 20 milionë euro. Po ashtu, në muajin shkurt të këtij viti nga Ministria e Ekonomisë kanë njoftuar se ekzekutivi qendror ka marrë vendim për një kredi në shumë prej 20 milionë eurosh për ndërmarrjen.