Arbëri

Në disa shkolla në Kosovë nuk filloi mësimi, nuk dihet numri i saktë

Jo të gjitha shkollat e nivelit parauniversitar kanë nisur të hënën vitin shkollor.

160 nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët "Dëshmorët e Fortesës" në fshatin Verbovc të Drenasit, nuk kanë pasur mundësi t'u kthehen bankave shkollore.

Kjo meqë objekti është ende duke u rinovuar. Punimet në këtë shkollë kanë nisur vetëm një muaj më parë.

Drejtoresha e shkollës, Arbresha Gashi, ka thënë se shpreson që më 21 shtator objekti të jetë i gatshëm dhe të nisin mësimet të gjithë nxënësit nga parashkollorët deri në klasën e nëntë, KOHA.

E kryetari i Këshillit të prindërve të fshatit, Fazli Gashi, thotë se pritet që punimet të përfundojnë sa më shpejt dhe të mos ketë më shumë shtyrje.

Sipas drejtorit të Arsimit në Drenas, Muhamet Gjoka, kjo është shkolla e vetme e kësaj komune që nuk ishte e gatshme të fillojë mësimin. Të gjitha të tjerat, sipas tij, i kanë bërë përgatitjet që mësimi të nisë duke respektuar masat.

Ministria e Arsimit nuk ka dhënë informacione për numrin e saktë të shkollave që nuk ishin të gatshme të hapeshin të hënën. KOHA ka mësuar se përveç shkollës së Verbovcit, mësimi nuk ka nisur edhe në disa të tjera. Disa nga to janë shkolla “Migjeni”, në Stanovc të Vushtrrisë dhe gjimnazi “Eqrem Çabej” i kësaj komune. Po ashtu, për shkak të mospërgatitjeve me kohë, edhe në shkollën “Minatori” në Novobërdë nuk ka nisur mësimi.