Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Bruksel protestohet kundër vendimit ndaj katërshes së UÇK-së

Në Bruksel protestohet kundër vendimit ndaj katërshes së UÇK-së

Pas shumë qyteteve të tjera evropiane, në mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është protestuar sot edhe në Bruksel. Protesta është zhvilluar në sheshin Schuman, pjesën e qytetit ku ndodhen institucionet kryesore të Bashkimit Evropian dhe selia e Komisionit Evropian, Këshillit të BE-së dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian. 

Protestuesit kanë bërë thirrje që të respektohet lufta e drejtë e popullit të Kosovës për liri dhe të mos njolloset Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila mbrojti popullatën civile në Kosovë. Po ashtu, kanë kundërshtuar çdo përpjekje për ta paraqitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një ndërmarrje të bashkuar kriminale. 

Folësit në këtë protestë kanë rikujtuar se shumë popuj evropianë kishin luftuar për lirinë e tyre dhe lufta e tyre mbrojtëse nuk ishte kriminalizuar asnjëherë. Prandaj, bëjnë ftesë që kjo t'i njihet edhe popullit të Kosovës, ndërsa të akuzuarit pranë Gjykatës Speciale të kenë një gjykim të drejtë. 

Folësit kanë bërë thirrje për institucionet e Bashkimit Evropian po ashtu edhe që të ndërpresin financimin e Dhomave të Speciale në Hagë. Këto protesta vijnë pas protestave të ngjashme që janë mbajtur në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Evropës. 

Po ashtu vijnë pasi Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale, votim të cilin nuk e kishte mirëpritur Bashkimi Evropian. Por tash, pasi Kosova ka institucionet e veta fuqiplota, pritet që të nisë komunikimi me Bashkimin Evropian në mënyrë që të sqarohet roli në të ardhmen që mund të ketë Gjykata Speciale, e po ashtu edhe sigurimi që të akuzuarit të kenë një gjykim të drejtë.