Xhemile Osmanaj, dëshmitare kryesore e Prokurorisë në rastin gjyqësor për krimet e luftës në Izbicë, e identifikoi të akuzuarin Muhamet Alidemaj si personin që e pati goditur me shuplakë në shtëpinë e saj. Në ballafaqimin e saj sy më sy me të akuzuarin, Osmanaj ka rrëfyer për krimet që ndodhën në ditën e 28 marsit të 1999-s, kur forcat serbe vranë 130 civilë shqiptarë në këtë fshat të Skënderajt
Dëshmitarja Xhemile Osmanaj është shprehur 100 për qind e sigurt se i akuzuari Muhamet Alidemaj, në rastin gjyqësor për krime lufte në Izbicë, ishte personi që e pati goditur me shuplakë në shtëpinë e saj, në ditën kur në këtë fshat të Komunës së Skënderajt ishin vrarë 130 civilë shqiptarë.
Në ballafaqimin sy-më-sy, që e kërkoi trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kryetar Vesel Ismailin, dëshmitarja e identifikoi të akuzuarin për masakrën e Izbicës, të kryer më 28 mars të vitit 1999.
“A je në gjendje t’i thuash para fytyrës që t’i më ke mëshuar shuplakë?” – pyeti Ismaili.
“Po, si s’jam në gjendje... Ky njeri m’ka ra mu, ky njeri më ka folur shqip, ky njeri më ka detyruar me e hallakatë shtëpinë me s’di sa vetë, ti vetë ke qenë. Po ti! E më keni folur serbisht, unë s’e kam ditur çka po thoni, ju më keni thënë të shkoj përpjetë shkallëve”, tha Osmanaj.
“Po thotë serbisht, po thotë tash” tha Alidemaj.
“Në shtëpi keni folur serbisht”, tha Osmanaj.
Osmanaj tregoi se atë ditë pati dëgjuar të shtënat e rafalëve të armëve, kur forcat policore e ato ushtarake serbe vranë burrat e fshatit, pasi gratë e fëmijët i kishin ndarë duke i përzënë në drejtim të Klinës.
“Veç edhe një fjalë dua t’ia them: Zoti të marroftë!” – tha Osmanaj.
Milosh Deleviq, avokat i të akuzuarit, e pyeti dëshmitaren se përse është e sigurt që Alidemaj e kishte goditur me shuplakë, përderisa nuk pati arritur ta identifikonte të akuzuarin në fotografi, në kohën kur ishte marrë në pyetje.
“Keni deklaruar se nuk mund të përcaktoheni se cili është, megjithatë sot po deklaroni se ky është personi... përse nuk keni mundur ta identifikoni përmes fotografive?” – pyeti Deleviq.
“Atëherë nuk kam parë mirë, tash qe dy vjet e kam bërë syrin operacion... Kështu që, prapë jam gjithmonë e bindur deri në vdekje (se ai është personi që ka qenë në shtëpinë e saj)”, tha Osmanaj.
Dëshmitarja tregoi, po ashtu, se shtëpitë e fshatit ishin djegur nga forcat serbe duke nisur nga mëhalla e epërme, pasi që më herët ishin plaçkitur.
Alidemaj u arrestua pas kthimit nga Serbia në shtëpinë e prindërve të tij në fshatin Kërrninë të Istogut, më 30 mars të 2021-tës, pas 22 vjetësh. Mbi të rëndojnë akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë pjesëmarrjen në Masakrën e Izbicës, për trajtim çnjerëzor, cenim të integritetit trupor dhe të shëndetit të popullatës civile, për plaçkitje e shkatërrim të pasurisë së civilëve dhe për pjesëmarrje në zhvarrosjen e kufomave të masakrës së Izbicës, që u rivarrosën në Suhodoll të Mitrovicës, në Novolan të Vushtrrisë e në një poligon të qitjes të policisë serbe në Batajnicë të Beogradit.