Kosova do t’ia paguajë mbi 6.7 milionë euro kompanisë MabCo Constructions, pronë e ish-presidentit Behgjet Pacolli, pas një vendimi të Tribunalit të Arbitrazhit në Washington. Në aktgjykimin e siguruar nga KOHA, thuhet se Kosova kishte vepruar në mënyrë arbitrare dhe kishte kërkuar ryshfet në procesin e privatizimit të hotelit Grand. Dokumenti i Tribunalit përmend edhe një audio-incizim, që thuhet se vërteton kërkesat për ryshfet
Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore (ICSID) ka gjetur se Kosova ndaj kompanisë MabCo Construction ka vepruar në mënyrë arbitrare, nuk ka garantuar trajtim të drejtë dhe të barabartë dhe ka kërkuar ryshfet në procesin e privatizimit të Hotelit Grand.
Tribunali me seli në Washington ka vendosur në favor të kompanisë MabCo, pronë e ish-presidentit Behgjet Pacolli, i cili e ka paditur shtetin duke shfrytëzuar faktin se kompania e tij ishte e regjistruar në Zvicër, por se edhe ai vetë ka pasaportë zvicerane.
Në aktgjykimin e tribunalit të arbitrazhit, dokument të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) kishin kërkuar nga Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi të përfshihen në blerjen e hotelit Grand, pasi fituesi zyrtar i tenderit, UnioCommerce me pronar Zelqif Berishën, nuk kishte mjetet prej 8 milionë eurosh, që kërkoheshin për privatizim.
Sipas arbitrazhit, Pacolli kishte dhënë 4 milionë, e Ejupi 1 milion euro. Por kjo ka ndodhur jozyrtarisht.
Në vitin 2007, biznesmenët kishin nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për ndarjen e aksioneve: 40% për MabCo, 40% për UnioCommerce dhe 10% për kompaninë e Ejupit.
Megjithatë, marrëveshja nuk ishte regjistruar në Regjistrin e Bizneseve apo atë të Pronave të Paluajtshme.
Në aktgjykim theksohet se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pasardhësja e AKM-së, ishte e vetëdijshme për përfshirjen e MabCo në privatizim, por nuk i kishte njohur zyrtarisht aksionet e saj.
“Deri sa pala e paditur (v.j. Kosova) mban qëndrim se AKP-ja në mënyrë ‘konsistente” dhe ‘sistematike’ e ka refuzuar nocionin se paditësi kishte të drejtë t’i njihen dhe regjistrohen aksionet, në fakt AKP-ja nuk e ka mohuar shprehimisht pronësinë apo të drejtën mbi pronësi të aksioneve të paditësit deri pas marrjes së vendimit për tërheqje të aksioneve në dhjetor 2011”, thuhet në aktgjykim.
Në dhjetor të vitit 2011, AKP-ja vendosi të tërhiqte aksionet, por vendimi nuk u ekzekutua menjëherë.
Në periudhën shkurt-prill 2012, persona që vepronin në emër të AKP-së u kishin premtuar Pacollit dhe Ejupit njohjen zyrtare të aksioneve nëse paguanin 3.5 deri në 4 milionë euro në formë ryshfeti.
Për të mbështetur këtë pretendim, Ejupi Tribunalit i ka ofruar edhe një audio-incizim.
“Duke u bazuar në tërësinë e dëshmive të dëshmitarëve, të plotësuara nga regjistrimi audio, Tribunali konkludon se është dukshëm më e mundshme sesa jo që veprimet për të cilat ankohen paditësit në të vërtetë kanë ndodhur dhe se ato përbëjnë kërkesë për ryshfet”, thuhet në aktgjykim.
Sipas aktgjykimit, në kërkesat për ryshfet ishin përfshirë Astrit Haraqija, ish-ministër i Financave; Ukë Rugova, djali i ish-presidentit dhe deputet në Kuvendin e Kosovës; Gazmend Abrashi, biznesmen dhe ish-ofertues për hotelin Grand dhe Adelina Reçica, gruaja e Dino Asanajt, ish-kryetar i Bordit të AKP-së.
Më 15 maj 2017, Qendra kishte pranuar kërkesën për Arbitrazh nga kompania MabCo kundër Kosovës. E procesi mori epilogun më 3 janar të këtij viti.
Qeveria e Kosovës të premten mori vendim për ndarjen e 6.7 milionë eurove për kompaninë MabCo, ndërsa mbetet të shihet nëse institucionet vendore do të ndërmarrin hapa lidhur me pretendimet për ryshfet të ngritura në aktgjykimin e ICSID-së.