Në Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”, fluksi më i madh është nga fluturimet që vijnë nga Zvicra, ka thënë zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara.
Gara ka bërë të ditur se 40 për qind e fluturimeve që janë në Aeroportin e Prishtinë vijnë nga Zvicra. E dyta është Gjermania e më pas Austria.
“Kryesisht për festa është një fluks më i madh. Kemi diku rreth 40 për qind të tregut të fluturimeve që janë nga Zvicra, pastaj vjen nga Gjermania, Vjena, Stambolli e kështu me radhë”, ka thënë ajo në emisionin “SOT” të KTV-së.
Gara tutje ka thënë se ka pasur rritje të numrit të fluturimeve. Ndërsa, numri i udhëtarëve ka kapur shifrën pothuajse 3 milionë, më e larta ndonjëherë.
Në tremujorin e parë të këtij viti, sipas Garës, ka pasur trend të rritjes së fluturimeve dhe udhëtarëve në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gara ka thënë se Aeroporti i Prishtinës po punon në procesin e digjitalizimit të shërbimeve.
“Procesi i checkingut do të kryhet nga vetë udhëtarë, dorëzimi i bagazhit do të bëhet nga vetë udhëtarët”, ka thënë ajo.