Arbëri

Në 70-vjetorin e saj, shkolla e muzikës ‘Prenkë Jakova’ pa objekt të vet

Shkolla e muzikës ‘Prenkë Jakova’ në Prishtinë në 70-vjetorin e hapjes punon në hapësira të shkollave të tjera, në kushte aspak të përshtatshme për natyrën e saj.

Drejtoresha e Shkollës së muzikës ‘Prenkë Jakova’, Violeta Krasniqi i tha RTK-së se për një vit pranojnë shumë nxënës dhe ka interesim të madh për këtë shkollë. “Për çdo vit pranojmë 100 fëmijë”, tha ajo.

Shkolla këtë vit shënon 70 vjetorin e hapjes. “Ne për shumë vite ballafaqohemi më shumë sfida, problemi i parë është mungesa e objektit, por edhe infrastruktura”, tha ajo.

Shkolla e arsimit dhe e edukimit muzikor, është një institucion arsimor që ngërthen në vete shkollën e ulët si dhe shkollën e mesme të muzikës. Kjo shkollë filloi punën në vitin e largët 1949, fillimisht me vetëm dy arsimtarë dhe një numër të vogël nxënësish. Në vitin 1961 u shtua mësimi edhe me klasat e shkollës së mesme, me seksionin teorik, instrumental dhe shkollën e arsimit të ulët muzikor. Në Shkollën e Muzikës "Prenk Jakova" në Prishtinë u përgatitën kuadro muzikore profilesh të ndryshme të arsimit muzikor për shkollat fillore. Kjo shkollë ka seksionin e pianos, të violinës, të kitarës, të instrumenteve frymore si dhe të solokëndimit. Shkolla ka drejtimin artistik (ekzekutues muzikor në piano, violinë, flaut dhe klarinetë), drejtimin teorik (bashkëpunëtor muzikor) dhe drejtimin e baletit. Nga kjo shkollë dolën kuadro të cilat më vonë bënë emër në fushën e artit muzikor si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.