Arbëri

Në 32-vjetorin e themelimit të LDK-së, hapet ekspozita me fotografi të Rugovës

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita me qindra fotografi të presidentit Ibrahim Rugova. Ekspozita ishte pjesë e aktiviteteve të zhvilluara për të shënuar 32-vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është mbështetur nga Biblioteka dhe Ministria e Kulturës.

Një kapitull i jetës së presidentit Ibrahim Rugova është kapur me aparat, aq sa ka pasur mundësi fotografi Adnan Ruhani. Ai rreth 30 vjet i ka kaluar duke fotografuar Rugovën. Të enjten një pjesë e fotografive është ekspozuar në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Mes fotografish, Rugova shihet me personalitete të shumta që ndër vite lanë gjurmë në historinë e Kosovës.

Autori i fotografive ka paralajmëruar një ekspozitë edhe më të madhe për Rugovën në të ardhmen.

“Jam munduar sadokudo me e paraqit historinë e presidentit Ibrahim Rugova dhe Qendrës Informative të Kosovës. Kjo është vetëm një pjesë sepse ka shumë, shumë fotografi dhe në të ardhmen e kam ndërmend ta bëj një ekspozitë vërtetë historike ku do të ia lëmë arkivi të Kosovës institucioneve të Kosovës”, ka thënë Ruhani.

Ndërsa Safet Zejnullahu, në emër të ish-Qendrës Informative të Kosovës, ka thënë se në kohën e “territ informativ” të imponuar nga Serbia, pa këtë Qendër publiku e bota nuk do të informohej për atë që po ndodhte në Kosovë.

“Ta kemi parasysh që jemi në një periudhë të territ informativ, të informuar nga Serbia nga media e shkruar dhe një periudhë e aparteidit në fushën e mediave të televizionit dhe radios. Në këtë pikë QIK e ka kryer punën e vet më të mirë të mundshme, me publiket ditore, ofrimin e fotografive aty ku mund të depërtohej. Pa harruar këtu kontributin e Adnanit”, ka deklaruar ai.

E autori i shkrimit kuratorial për ekspozitën të titulluar “Shtrëngim duarsh”, Naser Shatrolli, ka thënë se nëpërmjet fotografisë, si mjeti më i përdorur dhe më i sofistikuar në korrelacion me teknologjinë dhe lajmin e dhënë, Adnani mbetet njëri nga ekranet më të rëndësishme në 30 vjetët e fundit.

“Në fushën e tij, mund të karakterizohet epik në qasje, poetik në shprehje, karizmatik në momentin e shkrepjes. Përveç pozicionit të tij si fotograf, ai ka ndjekur në vazhdimësi sharmin e hapave të një njeriut me shall, protagonist i besës dhe shpresës. Duke i kapur momentet më intriguese të njeriut të buzëqeshur për të cilën sot enkas po hapim këtë ekspozitë me fotografi të etapave të ndryshme”, ka thënë Shatrolli.

Ekspozita ishte pjesë e aktiviteteve të zhvilluara për të shënuar 32-vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo është mbështetur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.