Arbëri

Në 21-vjetorin e masakrës në Studime, liderët thonë se është koha e fundit që kriminelët të dënohen

Në mbrëmjen e 2 majit të 99-s, u nxorën nga kolona që po ecnin me qindra banorë të fshatrave të rrethinës dhe u pushkatuan 116 persona nga ushtria serbe në fshatin Studime të Komunës së Vushtrrisë.

Dëshmitarë të cilët tregojnë ngjarjen e 21 vjetëve më parë thonë se për ta, ajo rrugë ishte e sigurt.

Ferid Gerxhaliu e ka të vrarë vëllanë dhe thotë se në atë kolonë ishin shumë banorë të fshatrave të rrethinës, raporton KOHA.

E një dëshmitar tjetër tregon se krejt masakra ka ndodhur nga ora 21 deri në 23.

Ata thonë se forcat serbe atë kohë ishin duke u tërhequr.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Studime të Vushtrrisë me rastin e 21-vjetorit të kësaj masakre.

Ai tha se është koha e fundit që kriminelët të paguajnë për të bëmat e tyre.

“Sot, 21 vjet pas, akoma askush nuk ka marrë përgjegjësi dhe askush nuk ka kërkuar falje për këtë masakër”, ka thënë Kurti.

Masakrën e Studimes e ka kujtuar edhe presidenti Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e drejtues të partive politike.

“Krimet e tilla nuk do të vjetrohen dhe nuk do të harrohen asnjëherë”, ka thënë presidenti.