Që nga 14 shtatori, kur janë hapur institucionet e arsimit parauniversitar, në shumë shkolla janë regjistruar raste pozitive me COVID-19.
Kjo ka bërë që vazhdimisht të ndryshohen skenarët e mësimit, duke kaluar nga skenari A, mësim në shkolla, në skenar B, mësim i kombinuar apo skenar C, mësim online.
Shkolla “Xhemail Mustafa” në kryeqytet për shkak të disa rasteve dy javë ka qenë në skenarin C, ndërkaq javën e kaluar është rihapur sërish.
Mësimdhënësja Zana Mejzinolli thotë se me gjithë vështirësitë, më efikase e konsideron skenarin me prezencën e nxënësve në shkollë, pavarësisht se orët janë më të shkurtra.
“Kuptohet që është më vështirë se jemi duke punuar me dy ndërrime, sidomos për mësimdhënësit, sepse ata punojnë nga 10 orë mësimore, kemi një pauzë 45-minutëshe për dezinfektimin e klasave për ardhjen e grupit B. Kemi konstatuar se shumë më mirë është që nxënësit me qenë prezent, edhe pse ora është 25-minutëshe por është më efektive”, thotë ajo.
Edhe nxënësit mendojnë se mësimi në shkolla është shumë më produktiv derisa ankohen për vështirësitë që i kanë nga ndërrimi i skenarëve.
“Kur po bahet kalimi prej skenarit A në skenarin C, atëherë po është shumë problematike edhe me u koncentruar në mësim për nxënësin nga ambienti i shkollës në të shtëpisë e po ashtu edhe kur po bëhet kthimi nga shtëpia në shkollë po është problematike për me u ambientuar me shkollën përsëri”, thotë Debora Sheremeti, nxënëse e shkollës “Xhemail Mustafa”.
E shkolla “Faik Konica” nga shtatori dy herë ka kaluar në skenarin C për shkak të rasteve, kurse këtë javë është hapur sërish, derisa aktualisht punon me mësim të kombinuar.
Mësimdhënësja Donika Xhemajli tregon se i kanë ndarë nxënësit në grupe, ku një javë punojnë në shkolla e një javë nga shtëpia.
“Ne kemi filluar pak me u adaptuar në këto rrethana, mirëpo fëmijët jo sepse ata po kanë vështirësi të shumta me përmbajtjen, me temat që trajtohen mandej me detyrat, d.m.th. kjo po shkakton edhe tek mësimdhënësit vështirësi për shkak se po duhet me krijuar instrumente të tjera të vlerësimit, të cilat mundemi me i realizuar në këto kushte”, ka thënë Xhemajli.
Në Kosovë shkollat janë hapur më 14 shtator. Për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 një numër i madh i tyre kanë kaluar në skenarin C.