Për pesë vjet rresht, Naim Berisha ka importuar pajisje bujqësore për shpërndarjen e plehut shtazor.
Për të njëjtat, asnjëherë nuk ka paguar TVSH apo tarifë doganore, pasi qeveria i kishte liruar si ndihmesë për bujqit, raporton KTV.
Megjithëkëtë, në importin e fundit që ka bërë para 10 ditësh, Dogana e Kosovës ia ka ndalur në terminal 10 pajisje.
Për këtë i është thënë se pajisjet në fjalë duhet të kenë tjetër kod doganor, pasi nuk hyn te shpërndarësit e plehut dhe duhet të paguajë 10 për qind tvsh dhe 18 tarifë doganore.
Në Doganën e Kosovës thonë se ligji ua mundëson që ta bëjnë ndryshimin e kodit doganor për një produkt që është importuar kohë më parë.
Madje, nëse del se e njëjta pajisje është futur për pesë vjet pa tarifa, atëherë Kodit Doganor ia mundëson doganës që t’i kërkojë tarifat për tre vjetët e fundit.
Por, Berisha tregon se bashkë me kompaninë sllovene, ka bërë ankesë në Ambasadën Sllovene.
Berisha thotë me këtë, më së shumti do të dëmtohen bujqit, pasi tarifat në doganë faturohen në çmimin final të pajisjeve.