Arbëri

Ndryshimet në PDK do t’i prekin Kryesinë dhe Këshillin Drejtues

Në PDK kanë treguar se brenda muajit do të bëhet edhe kompletimi i forumeve kryesore vendimmarrëse, e edhe do të dihen emrat e rinj që do të përfshihen në to. Kryetari i ri do të ketë të drejtë që në Kryesi e Këshill Drejtues të përfshijë edhe njerëz që nuk janë anëtarë të PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të kufizohet vetëm në zgjedhjen e kryetarit të ri. Brenda korrikut, kryetari Memli Krasniqi ka planifikuar të vendosë emra të rinj në forumet kryesore vendimmarrëse: në Këshillin Drejtues dhe në Kryesi.

Betim Gjoshi nga kjo parti ka thënë se në Konventën e së shtunës, në të cilën Krasniqi është zgjedhur kryetar, i është dhënë besimi për t’i freskuar edhe organet drejtuese.

“Vetë mbajtja e Konventës ka qenë një moment i rëndësishëm për ta krijuar një ekip të ri PDK-ja”, ka thënë ai. “Dhe mendoj që kryetari i partisë do të bëjë përpjekje dhe do të ketë angazhime që afër vetes të ofrojë ekipin më të mirë, i cili do ta çojë PDK-në drejt fitoreve dhe drejt një rezultati sa më të mirë edhe për zgjedhjet lokale që i kemi, e sidomos në zgjedhjet nacionale kurdo që i kemi”.

Këshilli Drejtues i ka 151 anëtarë me kryetarin, në të cilin forum Krasniqi do të mund të dërgojë deri në 15 anëtarë të rinj, pa qenë ata anëtarë të PDK-së.

“E mori edhe një fuqizim prej Konventës kryetari i partisë që të shtojë për 10 për qind të anëtarëve të Këshillit Drejtues, edhe pos që është normë statutare, ai kërkoi që Konventa t’ia japë besimin për atë. Ky është hapi i parë që besoj se do ta ndjekë ai rreth kompletimit të organeve të partisë”, ka thënë Gjoshi. “Mandej, kryetari e paraqiti një vizion se si e sheh – përveç opozitarizmit të PDK-së dhe së ardhmes së PDK-së, mënyrën e zgjedhjes së organeve”.

Burime thonë se ndryshimet më të mëdha do të bëhen në Kryesinë 27-anëtarëshe, gjysma e së cilës pritet të bëhet me emra të rinj. Këtij numri, Krasniqi pritet t’ia sjellë edhe 7 emra të rinj.

Mbështetur në Statut, nga Kryesia kryetari i partisë përzgjedh tre nënkryetarë dhe 7 sekretarë.

Takimet e së hënës, Krasniqi i ka realizuar bashkë me Vlora Çitakun, e cila nuk ka zhvilluar aktivitet në PDK prej vitesh. Sipas burimeve, asaj do t’i besohet posti i zëvendëskryetares.

Betim Gjoshi nuk ka folur për emrat që do t’i bashkëngjiten kryetarit të ri të PDK-së.

“Ne kemi parë një gatishmëri të znj. Çitaku që të jetë pjesë e ekipit drejtues, por prapë mbetet në diskrecionin e kryetarit që ta propozojë një kryesi, e cila e përfshin ndoshta gjithë shoqërinë në Kosovë dhe e shohin veten qytetarët e Kosovës në atë Kryesi”, ka thënë ai.

Gjoshi ka treguar se brenda dy-tri javësh do të bëhet kompletimi i forumeve kryesore vendimmarrëse të partisë, e edhe do të dihen emrat e rinj që do të përfshihen në to.