Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, ka njoftuar për ndryshimet në projektin që ai e quajti si “banim i përballueshëm dhe social”, për të cilin ka thënë se kanë hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve.
“Banimi i përballueshëm” fillimisht ishte një nga projektet e bujshme të premtuara nga Lëvizja Vetëvendosje para se të vinte në pushtet. Pati premtuar 4 mijë banesa për familjet në nevojë për një mandat. Por kur kanë kaluar dy vjet e gjysmë nën qeverisjen Kurti, nuk është bërë asnjë hap i madh në realizimin e këtij projekti.
Për vonesën, Zogiani ka thënë se pjesa e dokumenteve u ka marrë shumë kohë, ndërsa janë në pritje të një kredie 25 milionë euro për të nisur projektin.
“Jemi në fazën përfundimtare të asaj që quhet “paper work”, pjesa e përgatitjeve për fillimin e një projekti. Zakonisht, realizimi fizik s’është pjesa më problematike. Fazat e tjera konsumojnë shumë kohë. Pa pas ide shkencore s’mund të bëhet, pa e pas bazën ligjore e të tjera. Këto pjesë janë në përmbyllje dhe këtë muaj, ose në dy muaj, pritet marrja e një kredie 25 milionëshe nga Këshilli i Evropës që praktikisht mund të shënojë fillimin e punëve konkrete për këtë fazë”, ka thënë Zogiani në “Interaktiv” të KTV-së.
Një tjetër arsye për vonesën e këtij projekti, Zogiani ka thënë se Kosova s’ka pasur sistem të banimit social dhe të përballueshëm e që janë duke e rregulluar tash.
“Ka pas banesa sociale, por jo sistem”, ka shtuar ai.
Zogiani ka thënë se nga projekti do të përfitojnë katër kategori, ndërsa do të fillojnë nga ajo “jashtëzakonisht e varfër”. Sipas tij, do të ketë pothuajse në secilën komunë banesa të tilla.
“Tash është vendos princip i ri në thelb për këtë projekt. Banimi në këto kategori nuk mund të kalojë 30 përqindëshin e të ardhurave mujore të një familjeje. Nëse një familje ka 100 euro të ardhura, banimi do të kushtojë 30 euro në muaj. Ky është principi, pastaj në praktikë mund të ndryshojë pasi varet nga familja që vendoset”, ka thënë ai, duke deklaruar se do të ketë banesa edhe me qira edhe me blerje.
Zogiani ka bërë të ditur se për këtë çështje kanë biseduar edhe me komunat, të cilave do t’u bie barra më e madhe e implementimit.
Zëvendësministri i MPHI-së u shpreh i bindur se në fund të vitit do të kenë mundësi të flasin për diçka konkrete.
Zogiani: Në shtator do t’i kemi hartat e rrezikshmërisë për vërshime
I pyetur për gjendjen në Komunën e Pejës pas vërshimeve nga të cilat mbetën të vdekur një grua dhe një fëmijë, zëvendësministri Avni Zogiani ka thënë se po përballen me pasojat e vërshimeve dhe se po punojnë për zgjidhje.
Zogiani ka shtuar se po punohet që të krijohen modele që parashikojnë vërshimet.
“E para, duhet të përballemi me pasojat. Akoma i kemi pasojat e vërshimeve të kaluara nga pellgu i lumit Ibër. Jemi në kushte, kur po ndodhin vërshime përherë e më shumë. Ajo që ka bërë Qeveria aktualisht është krijimi i një grupi, i një Sekretariati që merret ekskluzivisht me këtë. Ministria jonë ka përfaqësues, pastaj është koordinatori në kuadër të ministrisë për fushën e vërshimeve. Aktualisht po punohet në krijimin e modeleve të parashikueshmërisë së vërshimeve”, ka deklaruar ai.
Zogiani ka thënë tutje se shpreson të bëhen edhe harta të rrezikshmërisë të zonave në të gjithë Kosovën. Ai ka fajësuar qeverisjet e kaluara për mosintervenim adekuat në lumenj.
“Krijimit të hartave, shpresoj që do t’i kemi në shtator harta të rrezikshmërisë. Nuk bëhet intervenim pa plan. 60 milionë euro kanë hyrë për tri vjet në ujëra. Të gjithë lumenjtë janë rikthyer në gjendje të tyre para intervenimit. Shkojke një eskavatorist i hyke lumit. 60 milionë euro kanë hyrë vetëm nga Qeveria, por diku 300-400 milionë janë edhe nga donatorët që janë shpenzuar në lumenj e nuk është bërë zgjidhje. Nuk është bërë zgjidhje, pasi asnjëherë intervenimet nuk janë bërë në mënyrë shkencore”, tha Zogiani.