Arbëri

Ndotja e ajrit në Rrugën “C” s’ka të ndalur, shteti s’merr masa

Ndotja e ajrit përmes tymit të zi që po lëshon kaldaja e ngrohjes në një kompleks banesor në Rrugën “C”, ka vazhduar edhe të premten, për herën e dytë brenda pak ditësh. E shteti nuk ka marrë masa pas rastit të parë.

Pas pamjeve që publikoi KOHA të dielën e kaluar, nga Drejtoria e Inspektoratit kanë njoftuar se në momentin e kontrollit s’është hasur në tym. Madje nga Inspektorati kanë thënë se “kompleksi në fjalë posedon leje mjedisore komunale dhe ka ngrohje kolektive vetanake”.

Sipas përgjigjeve të kësaj drejtorie, pala ka pretenduar se tymi është shkaktuar “si rezultat i një defekti të shkurtër teknik, por që është mënjanuar”. Nga Inspektorati kanë thënë se pala është e obliguar t’u përmbahet kushteve për sa i përket ndotjes së ambientit. Kjo drejtori është zotuar se do ta përcjellë gjendjen në vazhdimësi.

Megjithatë, ndotja s’është ndalur. Të premten, banorë të Rrugës “C” kanë dërguar video që shfaq ndotjen e vazhdueshme. Tymi i zi vazhdon të lirohet nga e njëjta kalda. Banorët e lagjes janë ankuar se me problemin e ndotjes po përballen qe më shumë se një vit.

KOHA i ka dërguar pyetje për këtë çështje edhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që nga e hëna, por deri në publikimin e këtij artikulli kjo ministri s’ka dhënë përgjigje.